Veç vaj dhe kripë pas shpirtit

Gjysmë shishe vaj dhe një kuti kripë, është i vetmi ushqim që ata kanë në shtëpi për momentin. Festa e Fitër Bajramit i gjen pa kushte elementare për jetesë.

Lajme

27/07/2014 19:12

Në këtë shtëpi Valbona me të shoqin dhe tre fëmijët e vegjël, mund të qëndrojnë vetëm deri në Kurban Bajramin e këtij viti. Kaq iu ka dhënë hapësirë pronari i shtëpisë. Shtëpi kjo në të cilën familja Sadriu shfrytëzon vetëm një dhomë. 

Muzaferi dhe Valbona kërkojnë ndihmë për ta rritur Majlindën gjashtë vjeçare, Majlindin katër vjeçar dhe Mirlindin e vogël. Këtë jetë e bëjnë në një nga lagjet më të mëdha në kryeqytet, e përveç ndihmës sociale që ata kanë, ndonjëherë ndihmohen edhe nga ‘Kryqi i Kuq’. 

Valbona rrëfen para kamerës së KosovaPress-it kushtet e rënda me të cilat po përballet ajo dhe familja e saj. 

Ajo i ka humbur të gjitha shpresat për një jetë të mirë. Madje, thotë se pas ikjes nga kjo shtëpi pa kulm, iu ka mbetur vetëm të dalin në parkun e qytetit që të jetojnë. 

“Burrin e kom smutë, vet jom e smutë, pe sheh edhe vet farë kushteve, për ketë Bajram kërkush nuk me ka ndihmu, kërkush në jetë, pos çka punon burri qishtu smutë. Kemi nevojë për shpi, për harç, për tonat…veç ketë dhomë e kam, qitu ha, qitu pi, me tre fëmijë, kush të me vjen qitu, s’kam kah shkoj……. Parvjet më ka thënë më leshu, po i kom thonë edhe nja dy vjet a tri deri të boj naksen, m’ka thënë që nuk munesh me bo kurgjo deri për bajram të vogël, munesh me i mbledhë plaçkat e me shku.. në park, ja në komunë ja në park”, thotë ajo. 

Ajo thotë se ka kërkuar ndihmë çdo kund, por që 15 vite jeton në varfëri. 

“Kam lypë ndihmë në komunë tek Shpend Ahmeti, më ka thënë edhe 4 vjet prit, edhe 4 vjet prit ka thënë që baht diçka, mirë, që s’ka s’kam çka të bëjë”. 

Valbona lutë të gjithë mërgimtarët që kush ka mundësi t’i dalë në ndihmë asaj dhe familjes që po vuan për kulm mbi kokë. 

Familja Sadriu jeton me marrjen e asistencës sociale prej 70 euro. 

Çifti rrëfen, se vuan nga dhimbje të mëdha në trup dhe se kanë shumë vështirësi kur bëjnë punë fizike. 

Sot, ata nuk kanë çfarë të hanë. 

“Rri për natë të bajramit deri për iftar, në mujsh me gjet diçka që qes në sofër, çka dush po të jep, se s’kam kurrgjë, pak ma herët erdh burri nuk gjet kurrgjë, atij veç në t’ia marrshim shpirtin, vet nuk jam e zoja me punu, jam e smutë jam tanat, deri qaty me dalë mu më nxinet fryma…….çka me iu dhanë, duhet me dalë me lypë si krejt dyjeja”, thotë ajo. 

Valbona tregon se ka provuar sot të marrë ndonjë ndihmë tek hoxhallarët, por e kanë kthyer prapa. 

“Ti pak më herët erdhe, nuk më gjete në shpi, kesh për me marrë naj ndihmë a naj diçka por nuk më dhanë, shko te qeveria shko aty, unë jam kanë te qeveria por s’ka kurgjo, hoxha qishtu më tha”, thotë ajo. 

E Majlinda e vogël duhet të fillojë shkollimin nga shtatori i këtij viti. Por, e ëma nuk shpreson se do të mund të arrijë ta dërgojë atë në shkollë. Madje ajo thotë, se nëse do të vazhdojë kjo gjendje nuk do ta regjistrojë atë fare në shkollë. 

Familja Sadriu e cila po lufton ashpër me jetën, çdo ditë e më shumë po i humbë shpresat për përmirësim të jetesës. Nesër ata nuk e festojnë dot Fitër Bajramin. 

“Me çka me festue, veç n’te hangshum trupin tonë a, lypa ndihmë lypa ndihmë, s’ka kërkush , që shpija rrëzohet është, me çka me festue, dil lypi hallkut ndihmë a, s’të jep kërkush oj motër”, thotë ajo. (Kosovapress)