Vdiq Andreas Shockenhoff, ngushëllimet e Mustafës, Thaçit dhe Hoxhajt

Para pak minutash ka ndërruar jetë nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Kristian-Demokrate gjermane CDU), Andreas Shockenhoff, i cili në fund të muajit nëntor qëndroi në Kosovë, në përpjeke për të ndihmuar krijimin e institucioneve. 

Lajme

14/12/2014 14:43

Schockehoff ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe për këtë arsye takimet që kanë zhvilluar liderët e vendeve të Ballkanit janë konsideruar si takime që praktikisht janë mbajtur me kancelaren Merkel.

Shockenhoff herën e fundit ka qenë në Kosovë në fund të muajit nëntor, ndërsa dy javë para se të arrihej marrëveshja për koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së, kryeministri i i ri kosovar, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi e kanë takuar atë ndaras.

Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag.

Mustafa ka shkruar se sot “është një ditë e hidhur për të gjithë ne, që e njohëm dhe bashkëpunuam me dr. Andreas Schockenhof, por edhe një ditë në të cilën shprehim krenarinë që patëm rastin të kemi një mik të tillë”.

“Sot shkoi nga kjo jetë njeriu që u shqua me parime dhe energji në zgjidhjen e problemeve shumë të ndjeshme në Ballkan. 

Gjatë këtij viti takova disa herë deputetin Schockenhof, i cili shquhej me përkushtimin e tij për demokraci, për zhvillim e prosperitet. Ishte një njeri i dashur, i sinqertë dhe një mik i madh i yni”, ka shkruar Mustafa.

I pari që e ka ngushëlluar familjen Shockenhoff ka qenë një nga miqtë e tij më të mirë në Kosovë, ish ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili përmes një postimi në Facebook e ka quajtur atë “njëri prej politikanëve më të suksesshëm të politikës së jashtme gjermane”.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve të tij, CDU-së dhe Gjermanisë. Do ta kujtoj gjithmonë si një mik dhe përkrahës të madh të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, ka shkruar Hoxhaj.

Ngushëllime me kwtw rast ka shprehur edhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.

Sipas Thaçit, ai ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e integritetit territorial të Kosovës

“Schockenhoff ishte deputet me ndikim i Bundestagut gjerman që nga viti 1990. Ishte i njohur për përkushtimin e tij ndaj afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e integritetit territorial të Kosovës” , ka shkruar Thaçi, i cili i ka shprehur ngushëllime kancelares Angela Merkel, bashkëpartiakëve të CDU-së, dhe gjithë popullit gjerman.