Vdes një pjesëtar maroken i KFOR’it

Nga një aksident trafiku në Veri ka vdekur një pjesëtar i KFOR’it maroken, ndërsa pesë të tjerë janë lënduar. Ngjarja ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Leposaviç, vendin e quajtur Balaban të komunës së Zveçanit.

Lajme

05/12/2013 16:13

Një pjesëtar i KFOR’it maroken ka mbetur i vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur, kur automjeti me të cilën ata udhëtonin, ka rënë në lumin Ibër.

Ky aksident ka ndodhur sot rreth orës 13:15 në magjistralen Mitrovicë-Leposaviç, vendin e quajtur Balaban të komunës së Zveçanit.

Drejtori i Qendrës Spitalore në veri të Mitrovicës, Milan Ivanovic ka thënë se në Qendrën Emergjente janë sjellë 5 pjesëtarë të KFOR-it maroken, të cilëve u është dhënë ndihma mjekësore, ndërsa pjesëtari i gjashtë është sjellë pa shenja jete.

“Në Qendrën Spitalore janë pranuar pesë pjesëtar të KFOR’it maroken të cilët ishin në gjendje kome, me hipotermi, dhe me fraktura. Këta pjesëtar kanë pësuar një aksident trafiku në rrugën Zveçan-Leposaviç tek vendi i quajtur Balaban, kur me automjetin e tyre, kamion, kanë rënë në lumin Ibër”.

Këtë aksident e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.