Vdekja tragjike e 23-vjeçares nga Istogu, familja la Gjermaninë për t’u kthyer në Kosovë

Sot janë bërë tre javë qëkur Florijeta Rugova 23-vjeçare nga fshati Vrellë i Istogut bashkë me Lendita Bardhin, 30-vjeçare e nënë e një fëmije, u aksidentuan për vdekje në Prishtinë.

Lajme

13/11/2018 17:31

Florijeta për afro 10 ditë qëndroi në gjendje kome për të ndërruar jetë më 2 nëntor në QKUK. Familja javën që e lamë pas ka kryer të pamën për të bijën e tyre.

Gazeta Express ka qëndruar në fshatin Vrellë ku ka biseduar me familjarë të së ndjerës. Ata kanë treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që të ushtrojnë padi ndaj personit që e goditi për vdekje Florijetën. Por, ankohen se nuk kanë shumë informacione nga policia rreth asaj se si ka ndodhur aksidenti që i mori jetën vajzës së tyre.
Ëndrrat që Florijeta Rugova, 23-vjeçare të bëhej një ekonomiste e suksesshme mbaruan në natën e 2 nëntorit të këtij viti. Ajo vdiq në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës pas një aksidenti në komunikacion në të cilin u përfshi ajo bashkë me një grua tjetër gjatë pasdites së 22 tetorit tek rruga B në Prishtinë.

Qindra persona ia kishin mësyrë lagjes ‘Dëshmorët Çetaj’, në fshatin Vrellë të Istogut, për ta vizituar familjen Rugova. Kësaj familjeje i ka vdekur në një aksident trafiku vajza e tyre, Florijeta veç 23-vjecare.

E pamja që familja e 23-vjeçares e ka hapur në Vrellë

Gazeta Express ka qëndruar në familjen e Florijetës së ndjerë. Ata kanë treguar se si kishte ndodhur aksidenti. Florijeta, kishte lindur në Gjermani dhe deri në vitin 2000 kishte qëndruar atje bashkë me familjen dhe motrën e saj për t’u rikthyer më pas në Kosovë ku edhe i ndoqi studimet në degën e ekonomisë.

Ditën kritike, familja e Flirijetës, tregon se ajo kishte qenë në terren duke e kryer punën e saj si këshilltare e kabinetit për aspekte ekonomike në një kompani në Prishtinë. Ajo kishte dalë për një takim me njërin nga klientët. Takim nga i cili ajo nuk u kthye më në punë.

“Fatkeqësisht, ditën kritike Florijeta kishte një takim me njërin prej klientëve të saj; ajo po kujdesej për përmbushjen e punëve rutine ditore dhe kishte vizituar njërin prej klientëve të saj, zyrat e së cilit ishin përballë ndërtesës “Royall MALL” – Rr.B. Kryesisht, Flerijeta në qytet, për operimet ditore, udhëtonte në të shumtën e rasteve me taxi, por, fatkeqësisht, ditën kritike ajo shkoj me taksi në takim; përfundoj takimin, ashtu qe pas takimit duke kaluar rrugen ne vendkalimin për këmbësor (ZEBRA) ndodhi edhe fatkeqësia”, rrëfehet daja i së ndjerës Sefadin Blakaj.

Florijeta Rugova 23-vjeçare
Florijeta ditë kritike po shoqërohej për çështje pune nga një zonjë, Lendita Bardhi, 30 vjeçare e cila gjithashtu mbeti viktimë e fatkeqësisë së njëjtë. Sipas familjes së Florijetës, ato kishin pasur takim të përbashkët dhe pas takimit, sigurisht, Lindita po e shoqëronte Florijetën deri të taksia për kthim në zyrën e saj. Gjë kjo e cila nuk ndodhi kurrë.

Familja e së ndjerës: Nuk e dimë se si na vdiq vajza

Por edhe gati pas një muaji pas këtij aksidenti, familja e Florijetës së ndjerë thotë se nuk është e njoftuar me të gjitha rrethanat se si ka ndodhur ky rast.

“..veçanërisht nuk ka akoma informata për identitetin e të pandehurit; mandej nuk ka informata në lidhje me rrethanat e aksidentit; se s’i ndodhi fatkeqësia, pastaj, se si ishte e mundur që në atë pjesë të rrugës të shpejtohej automjeti në një shpejtësi të tillë që tejkalon 100km/h, çka shihet nga goditja e cila i kishte gjuajtur viktimat përtej 25 metra largësi nga goditja, mandej, se pse i pandehuri nuk kishte shfaqur fare shenja të frenimit, se cila ishte gjendja fizike e të pandehurit, nëse ishte nën ndikimin e substancave ose alkoolit; ose nëse i pandehuri ishte duke përdorur telefonin në momentin e aksidentit. Të gjitha këto pyetje dhe rrethana akoma janë pa përgjigje për familjen”, deklarojnë nga familja e së ndjrës.

Dy familjet e dy vajzave të ndjera pritet që të ushtrojnë padi ndaj personit që ka kryer aksidentin

Shoqëria dhe institucionet në Kosovë duhet të vetëdijësohen më shumë për sigurinë në trafik. Kështu po thotë familja e cila e humbi vajzën e tyre në aksidentin e 22-tetorit.
Por, personi që e shkaktoi aksidentin ku mbetën të vdekura dy gra, tashmë gjendet në qendrën e paraburgimit. Dy familjet e vajzave të ndjera janë duke i shqyrtuar mundësitë që ta padisin personin e dyshuar i cili e shkaktoi aksidentin fatal.

“Familja është krejt e pashpresë për gjendjen e sigurisë së qytetarëve në trafikun publik, e veçanërisht me rrugët e Prishtinës. Familja Rugova është e vendosur që të luftojë për drejtësi dhe të sigurohet për tërheqjen e vërejtjes së autoritete publike se gjendja e sigurisë në rjon është e papranueshme

“Ne do të përpiqemi që ky rast të jetë një pikë kthyese për ndërgjegjësimin e drejtësisë dhe shqiptimit të dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave mizore penale nga Gjykatat e Kosovës”, deklarojnë tutje nga familja e së ndjerës.
Dy familjes e dy vajzave të ndjera deklarojnë se së shpejti po planifikojnë që këtë rast ta ndjekin juridikisht.

Shoferi i cili ka goditur për vdekje të dy vajzat është në masën prej në muaji të paraburgimit.

E rrugët e Kosovës janë përgjakur dhjetëra herë brenda këtij viti. Policia ka njoftuar se në nëntë muajt e parë të këtij viti nga 69 aksidente me fatalitet kanë vdekur 90 persona. Vdekje në komunikacion janë shënuar edhe gjatë muajit tetor dhe nëntor, por për numri i tyre nuk dihet ende pasi që policia nuk ka dërguar ndonjë njoftim me numrin e përgjithshëm të viktimave.

Ndërkohë, Policia vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion, madje për këtë gjatë muajve të verës është krijuar edhe një Taskë-Forcë.