Vdekja e Emiliano Sala: Cardiff ka një kërkesë për skuadrat e Premierligës

Gjatë muajit të kaluar, bota e futbollit është shokuar me vdekjen e futbollistit Emiliano Sala.

Sport

17/02/2019 09:00

Lojtari i cili do të transferohej nga skuadra e Nantes tek ajo e Cardiff, gjeti vdekjen si pasojë e aksidentimit me aeroplan.

Sipas ‘Sunday’s Daily Mail’, skuadra e Cardiff City ka dërguar një letër për disa nga skuadrat e Premierligës, duke kërkuar ndihmën e tyre dhe këshillën për të shmangur pagesën e plotë të 17 milionë eurove për transferimin që Sala do ta bënte nga Nantes në Cardiff, transmeton lajmi.net.

Skuadrat kishin arritur marrëveshjen për transferimin dhe lojtari ishte kthyer në Francë për tu përshëndetur me shokët e skuadrës.

Ai u nis për në Cardiff për të filluar aventurën e tij të re, por për fatin e keq, aeroplani i tij u rrëzua dhe ai nuk  arriti kurrë në Uells.

Kështu, skuadra e Cardiff po kërkon ndihmë dhe këshilla se si ta shmangin pagesën e plotë për transferimin e lojtarit.

Ata po luftojnë në çdo formë me skuadrën franceze Nantes, të cilët kërkojnë 17 milionët. /Lajmi.net/