Vazhdon skandali: Godeli, pozitiv për doping

Pas Romela Begajt dhe Hysen Pulakut, edhe kampioni shqiptar i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të bërë pas Botërorit të Kazakistanit.

Sport

11/12/2014 10:05

Pas Romela Begajt dhe Hysen Pulakut, edhe kampioni shqiptar i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të bërë pas Botërorit të Kazakistanit.

Burime konfidenciale konfirmojnë për Top Channel se në adresë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka ardhur përgjigja e analizave për dy djemtë që përfaqësuan Shqipërinë në Kazakistan.

Ende nuk dihet substanca e ndaluar që kanë përdorur këta dy peshëngritës, por mendohet se Godelli dhe Pulaku do të kërkojnë të bëjnë edhe testin B. Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshen 77 kg, duke marrë 2 medalje ari dhe 1 argjendin.

Ndërsa Pulaku mori pjesë në peshën 85 kg dhe zuri vendin e 10 në dygarësh. 22-vjeçari Pulaku rezultoi pozitiv edhe në Olimpiadën e Londrës në vitin 2012 dhe u pezullua për 2 vjet nga çdo garë.

Tashmë pritet konfirmimi zyrtar nga Federata sa i përket këtij sinjalizimi. Nëse konfirmohet zyrtarisht, atëherë përjashtimit të Godellit dhe Pulakut, pritet t’i shtohet edhe përjashtimi i federatës sonë të peshëngritjes nga aktivitetet ndërkombëtare.