Vazhdon ndotja e ambientit me fletushka, bizneset s’ka kush t’i gjobitë

Bizneset e shohin shpërndarjen e fletushkave si mënyrën më të mirë të reklamimit të ofertave të tyre. Mirëpo qytetarët e Prishtinës ankohen se bizneset po ua ndotin hyrjet e ndërtesave kolektive, si dhe oborret e shtëpive përmes hedhjes së këtyre fletushkave.

Lajme

02/06/2018 09:01

Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje nëse ka ndërmarrë ndonjë hap për zgjidhjen e këtij problemi ose nëse në të ardhmen do të veprojë.

Kurse zyrtarët nga Inspektorati në Komunën e Prishtinës kanë kërkuar që për këtë problem t’i referohemi Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, në të cilën theksohet se shpërndarja e këtyre fletushkave hyn në mbeturinat komerciale e që dënimi për hedhjen e tyre sillet prej 100 deri në 500 euro.

Edhe pse kjo Rregullore ka hyrë në fuqi më 1 janar 2017, bizneset në Kosovë po vazhdojnë që me anë të shpërndarjes së fletushkave ta bëjnë këtë gjë, teksa thonë se nuk kanë pranuar asnjë vendim nga Komuna e Prishtinës për ta ndaluar shpërndarjen e fletushkave.