Vazhdon i mbyllur gjykimi ndaj të akuzuarve për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Izraelit

Ka vazhduar të jetë i mbyllur për mediat dhe publikun, gjykimi ndaj nëntë personave të akuzuar për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Izraelit.

Lajme

20/02/2018 19:10

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur këtë aktakuzë pas pretendimeve se në gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, që ishte zhvilluar në qytetin e Shkodrës, në nëntor të vitit 2016, nëntë persona, tash të akuzuar, kanë planifikuar të kryejnë sulm terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve izraelit.

Për këtë pretendim të prokurorisë aktualisht janë duke u përballur me drejtësinë të akuzuarit Kenan Plakaj, Besart Peci, Arton Ahmetaj, Visar Istrefi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi dhe Leutrim Musliu.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, para se të filloi shqyrtimi gjyqësor i së martës, ka thënë se sikurse në seancën e kaluar në të cilën kishin filluar të dëgjoheshin zyrtarët policorë, dëshmia e tyre do të vazhdoi edhe në këtë seancë.

Për mediat e pranishme në këtë seancë, gjykatësi Ibrahimi, tha se u lejohet fotografimi vetëm para se të filloi dëshmia e dëshmitarëve.

Mbyllja e seancës për dëgjimin e katër dëshmitarëve Jeton Jetullahu, Muhamet Rushiti, Nexhat Hazhaj dhe Leotrim Syla, tre nga të cilët ishin zyrtar policor erdhi si rezultat i propozimit të prokurores Merita Binaj-Rugova.

“Propozoj që të përjashtohet publiku dhe mediat pasi dëshmitarët janë zyrtarë policorë nga Njësia Kundër Terrorizmit dhe pasi në këtë seancë do të prezantohen prova nga masat e hetimit dhe vëzhgimit dhe më këtë dëshmitarëve do të i rrezikohet siguria e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre”, kishte thënë prokuroria Binaj-Rugova në seancën e 2 shkurtit 2018..

Propozimi i prokurores ishte aprovuar më pas nga trupi gjykues.

Ndryshe, para kësaj seance, tre nga nëntë të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë.

Kenan Plakaj dhe Besart Peci dhe Arton Ahmetaj e kishin pranuar fajësinë për veprat për të cilat i ngarkon prokuroria, ndërsa të akuzuarit Visar Istrefi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi dhe Leutrim Musliu, në vazhdimësi janë deklaruan të pafajshëm

Në seancën e kaluar, më 20 dhjetor 2017, në të cilën ishte dhënë fjala hyrëse, prokurorja Merita Binaj-Rugova kishte thënë se si rezultat i provave të shumta që ekzistojnë është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ajo kishte deklaruar se të akuzuarit vazhdimisht kanë qenë aktiv në realizimin e ideve të organizatës terroriste “ISIS”.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Ibishi, avokati Ali Latifi, kishte thënë se prokuroria e ka mbështetur aktakuzën në prova të improvizuara dhe se pohimeve të aspektit politik duhet t’iu ikin.

“Do të isha i lumtur nëse prokuroria do të jepte fakte e jo improvizime”, pati thënë Ibishi.

Prokuroria e akuzon Visar Istrefi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi, se me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste “ISIS”, të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Lavdrim Muhaxheri, përmes kontakteve të rregullta me të akuzuarin Visar Ibishi, i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli, të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, nëntorin e 2016-ës.

Prokuroria pretendon se këto komunikime janë kryer duke përdorur një aplikacion të internetit të quajtur “Telegram”.

Sipas kësaj, të akuzuarit Visar Istrefi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të terrorizmit.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit e tjerë,  Arton Ahmeti dhe Lulzim Gashi, e kanë shfrytëzuar të njëjtin aplikacion për të komunikuar me Lavdrim Muhaxherin, me qëllim që gjatë tetorit të kryenin sulme terroriste brenda Kosovës, ashtu që kanë planifikuar sulm terrorist-atentat në ndërkombëtarët ose në institucionet e sigurisë.

Prokuroria pretendon se pjesë e këtij organizimit ishte edhe blerja e armëve për grupin, me paratë që do të siguroheshin nga Lavdrim Muhaxheri.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky grup kishte arritur të prodhonte eksploziv (materiale plasëse) në shtëpinë e të akuzuarit, Kenan Plakaj.

Aktakuza e prokurorisë pretendon se i akuzuari Lulzim Gashi, ka marr pjesë aktivisht për dy javë në radhët e organizatës terroriste “Al Nusra”, duke kryer veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrje në grupet terroriste.

I akuzuari Besart Peci, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa i akuzuari Leotrim Musliu, akuzohet për armëmbajtje dhe për veprën penale të fshehjes ose moslajmërimit të terroristëve dhe grupeve terroriste./Betimiperdrejtesi/