Vazhdojnë rrënimet e ndërtimeve pa leje në Prishtinë

Inspeksioni i Komunës së Prishtinës sot ka bërë planifikimet për rrënimin e një ndërtimi pa leje në lagjen Pejton dhe ka vazhduar rrënimin e ndërtesës në lagjen Mati 1, pasi ka qartësuar procedurat me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lajme

19/03/2014 14:17

Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës ka inspektuar sot një ndërtesë në lagjen Pejton, ndërtesë kjo e cila katin e fundit e ka të ndërtuar pa leje.

Për të njëjtin rast, inspektorët e Komunës së Prishtinës kanë intervenuar më 17 tetor të vitit 2013, duke i rrënuar shtyllat, gjatë ndërtimit të këtij kati. Pala, përveç që nuk e ka kthyer objektin në gjendjen e mëparshme, ai ka vazhduar me punimet duke e përfunduar ndërtimit e katit, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.

Inspektorët e Komunës së Prishtinës, bashkë me kompaninë e kontraktuar për rrënim, bënë matjet në këtë ndërtesë, si hap i parë drejt përpilimit të planit të rrënimit. Rrënimi i kësaj pjesë të këtij objekti do të bëhet shumë shpejt, në ditët e pushimit, për shkak të sigurisë së punëtorëve të kompanive tjera që punojnë në të njëjtin objekt.

Në të njëjtën kohë, sot  ka vazhduar rrënimi i objektit shumëkatësh në lagjen Mati I, pas përmirësimit të një gabimi teknik që ishte brenda vendimit për rrënim, përmirësim ky i kërkuar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet në komunikatë.