Vazhdojnë përpjekjet për heqjen e vetos së minoriteteve

Në takimin e fundit të liderëve politikë në rezidencën e Ambasadores amerikane Treacy Ann Jacobson, është diskutuar se si të tejkalohet ngërçi politik. 

Lajme

06/05/2014 09:20

Në mënyrë që të ndalohet bllokada që po bëjnë minoritetet, duke mos shkuar në Kuvend për të votuar krijimin e FAK-ut, opsion i mundshëm i diskutuar në takimin e djeshëm ka qenë edhe heqja e votës së dyfishtë të komuniteteve.

Në burim i gazetës “Koha Ditore”, ka bërë të ditur se janë dy mënyra se si mund të shkohet deri tek heqja e votës së dyfishtë. Ky burim ka bërë të ditur se të gjitha komunitet tjera kanë qenë dakord për heqjen e votës së dyfishtë, përveç atij serb.

“Ka pasur pajtueshmëri që, nëse serbët vazhdojnë edhe nesër me bllokadën, atëherë t’u hiqet vota e dyfishtë. Dy rrugë janë përmendur: nëpërmjet amendamentimit të Kushtetutës, që do të vihej në Kuvend pa kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe u cili do të konsiderohej i miratuar pa votën e dy të tretës së deputetëve të komuniteteve pakicë; ose që i njëjti qëllim të arrihej nëpërmjet nxjerrjes së një ligji, miratimi i të cilit kërkon vetëm votat e shumicës së anëtarëve të Kuvendit”.

“Përpos serbëve, komunitetet e tjera janë dakord me cilindo opsion”, ka thënë ky burim.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka pohuar se në takimin e djeshëm është diskutuar për “veprime juridike dhe politike” që do të nxirrnin vendin nga ngërçi politik.

“Sot në takim kemi dhënë edhe ide për zhbllokimin e situatës. Do të analizojmë çdo veprim juridik dhe politik që është në dobi të vendit, por edhe që nuk dëmton të drejtat vitale të komuniteteve e as të drejtat e njeriut”, ka thënë Kuçi.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi ka thënë se akoma nuk dihet se si do të procedohet për këtë çështje, por se ai është pro këtij opsioni.

“Mendoj se është një opsion i hapur për diskutim, që mund të realizohet me amendamentimin e Kushtetutës. Është çështje e interpretimit (kushti i votës së 2/3 të deputëtëve minoritarë), dhe të shohim deri nesër. Është e paqartë ende se si do të veprohet. Ne jemi për këtë opsion”, ka thënë Gashi për “Koha Ditore”.