Vazhdojnë dorëheqjet në Vetëvendosje

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Niman Rexhepaj i cili jeton dhe punon në Zvicer përmes një shkrimi ka treguar se që nga sot nuk do të jetë më pjesë e partisë së Albin Kurtit.

Lajme

27/05/2018 12:52

Rexhepaj përmes një letre ka treguar arsyet se pse ka vendosur që të largohet prej Vetëvendosjes. Ai thotë se  ndihet jashtëzakonisht i zhgënjyer që është shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm, sipas tij, janë të dobët moralisht e kombëtarisht.

 Më tej, në letrën e tij thuhet se “Ky subjekt, sa unë kam arritur ta kuptoj, ka disa misonarë të cilët vijnë nga jashtë e që ndihmohen nga disa injorantë të tjerë përbrenda, bëjnë shpëlarjen e trurit të të rinjve nga mosha 17 vjeçare deri tek ajo 24, e të cilët i doktrinojnë për ta diskredituar e shkatërruar shtetësinë e Kosovës” ka shkruar ai.

Letra e plotë:

Të dashur miq të fb, shokë nga Lëvizja Vetëvendosje, nga sot e tutje, unë nuk do të jem më aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ndihem jashtëzakonisht i zhgënjyer, tmerrësisht i befasuar për keq dhe jam shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm, e që janë të dobët moralisht e kombëtarisht.

Në këtë subjekt politik, ata që mendojnë ndryshe dhe nuk iu përshtatën veprimeve e mendësisë së tyre ekstreme, eliminohen dhe përjashtohen në mënyrën më të turpshme të mundshme.

Unë jetoj dhe punoj në shtetin e Zvicrës dhe në pamundësi për të qenë më afër rrjedhave politike përbrenda subjektit në fjalë, nuk kam arritur deri më tani ta  kuptoj dashakeqësinë e tyre për shtetin e Kosovës dhe qëllimin e tyre për ta shkatërruar atë.

Ky subjekt, sa unë kam arritur ta kuptoj, ka disa misonarë të cilët vijnë nga jashtë e që ndihmohen nga disa injorantë të tjerë përbrenda, bëjnë shpërlarjen e trurit të të rinjve nga mosha 17 vjeçare deri tek ajo 24, e të cilët i doktrinojnë për ta diskredituar e shkatërruar shtetësinë e Kosovës.

Jam tmerrësisht i befasuar nga kjo gjë dhe njëkohësisht po ndihem shumë keq që pavetëdije kam kontribuar për këtë idiotësi nga e cila shumë aktivistë të rinj kanë përfunduar me fatalitet.

I lus të gjithë ata të rinj që janë pjesë e këtij subjekti politik, ta fusin trurin e tyre në përdorim që të mos bien pre e këtyre idiotëve dhe të largohen sa më parë nga ky subjekt, sa nuk kanë pësuar!

Mallkuar qofshin të gjithë ata që kanë për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës!.