Vazhdojmë me protesta, Mustafa ende ka kohë për reflektim

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të reflektojë, pasi sipas tij, ajo nuk mund të vazhdojë me relativizmin e problemeve, pasi që, sipas vlerësimit të tij,  “pakënaqësia e qytetarëve është në kulm”.

Lajme

25/01/2015 14:15

Haradinaj ka thënë se ai dënon sulmet vandale që ndodhën dje në protestën e organizuar, por shton se partia e tij do të vazhdojë partneritetin për organizimin e protestave, por që kanë karakter paqësor.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Ramush Haradinaj:

Është për habi se si Qeveria aktuale vazhdon me relativizimin e problemeve tani që pakënaqësia e qytetarëve është në kulm. I bëj thirrje Qeverisë që sa më parë të reflektojë, sa ka ende kohë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehë gatishmërinë e saj për të vazhduar partneritetin e organizimit të protestës, gjithmonë duke reflektuar karakterin paqësor e gjithëpopullor të saj.

AAK dënon aktet vandale që ndodhën dje pas protestës paqësore, dhe fton qytetarët që të protestojmë bashkë, qetësisht e të civilizuar, deri atëherë kur fillon të respektohet interesi i popullit të Kosovës.

Aleanca do të qëndrojë me popullin deri në fund.