Vazhdimi i seancës, të enjten?

Rritja e presionit mbi Partinë Demokratike ka bërë që ajo të bindet për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive këtë javë.

Lajme

17/11/2014 07:55

Burime të ndryshme i kanë thënë gazetës Koha Ditore se nuk përjashtohet mundësia që Flora Brovina ta thërrasë seancën këtë të enjte të 20 nëntorit, për shkak se presioni tani është i madh, pas krijimit të rrethanave, ku do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja.

“Edhe pse janë eliminuar arsyet e mosmbajtjes së seancës, PDK-ja ka refuzuar ta thërrasë atë për shkak se s’ka marrëveshje për qeverinë. Por presioni i rritur kohët e fundit ka bërë që PDK-ja të zmbrapset nga kërkesa për një marrëveshje pako”, ka thënë burimi.

Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me kryesuesen Flora Brovina, ndërkaq nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk është pjesë direkte e procesit dhe se nuk ka informata për një gjë të tillë.

Por Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i PDK-së, ka paralajmëruar se kjo javë pritet të jetë përplot zhvillime, ku mund t’i jepet fund bllokadës pesëmujore.

Ndërkaq, analisti politik, Artan Muhaxhiri beson se para se partitë e Bllokut të hiqnin dorë nga kryeparlamentari, PDK-ja ksihte arsye për të mos e thirrur seancën.

Sipas tij, presioni i faktorit ndërkombëtarë më përpara ishte i fokusuar në Bllokun, por tani ai është orientuar drejt PDK-së.

“Nëse seanca nuk thirret këtë javë, përveç presionit ndërkombëtarë, PDK-ja do t’i nënshtrohet presionit të madh publik dhe media, prandaj do të bëhet e pamundur për këto parti që ta vazhdojnë bllokadën dhe të mos kontribuojnë në zgjidhjen definitive”, ka thënë Muhaxhiri.