Vata: ‘Peshkaqenët’ sulmojnë De Biasin, ky ishte gabimi i tij pas “Euro 2016”

Rudi Vata, i del në krahë De Biasit në këtë moment të vështirë që po kalon strategu italian në krye të Kombëtares shqiptare.

Sport

29/03/2017 10:42

Ish-futbollisti i kombëtares, Rudi Vata, i del në krahë De Biasit në këtë moment të vështirë që po kalon strategu italian në krye të kuqezinjve. Vata ka folur për rubrikën “Sport” në televizionin “News 24” duke analizuar situatën aktuale.

Ecuria e kombëtares“Mbas një arritjeje të tillë siç ishte në Europian, të gjithë mendojnë për progresin, pasi ishte një kombëtare solide duke arritur edhe këto rezultate, por pas kësaj çdokush shpresonte, edhe një tifoz i thjeshtë për një kualifikim në Botëror, pasi edhe oreksi vjen duke ngrënë. Por, siç duket nga rezultatet dhe ecuria e ndeshjeve, Kombëtarja ka bërë një hap mbrapa. Pothuajse ka përfunduar në ato nivele, ku De Biazi e ka gjetur ekipin”.

Situata e De Biasit – “Për mua, De Biazi duhet të largohej mbas Europianit. Mori maksimumin nga ajo kombëtare, misioni i tij me përfaqësuesen përfundoi aty. Qëndroi dhe mori një risk, ndërsa tani për mendimin tim po merr një çmim që nuk e meriton, sepse është De Biazi ai që na bëri ne një ekip kombëtar serioz. Solli frymën e grupit, futi tek lojtarët ndjenjën e madhe për fanellën kuqezi, tani sigurisht që rezultatet jo të mira sjellin disekuilibra të tilla, por nuk është profesionale dhe sidomos mbas një paraqitjeje pozitive në Europian, këto situata tipike shqiptare të kthehen në kampin kuqezi. E di që tekniku po përpiqet t’i zerojë këto probleme, por e shikoj të pafuqishëm, sepse ka humbur krahun e djathtë, Tramezzanin.

Është dobësuar si në aspektin psikologjik, edhe në aspektin e përgjithshëm të përgatitjes së ndeshjeve. Kombëtarja ka humbur një lider, për momentin nuk kemi një të tillë pas largimit të Lorik Canës, ndoshta ishte në kilometrat e fundit, por të paktën gëzonte respektin e grupit. Ky është edhe një gabim i De Biazit që nuk gjeti dot në kohë një zëvendësues. Liderin që do i jepte komandën e duhur grupit. Kombëtarja shqiptare megjithëse ka Hysajn, i cili është një lojtar i mirë dhe me eksperiencë, që luan edhe në “Champions League”, prapë nuk e gëzon rolin e liderit të plotfuqishëm në ekip”, shkruan “sportal.al”.

Lojtarët që nuk janë ftuar– “Në të kaluarën De Biazi e ka pasur privilegjin për të pasur zgjedhje të mjaftueshme, tani rezultatet po shkojnë kundër tij, është krijuar një rrymë e pakëndshme, shikoj shumë “peshkaqenë” që janë zgjuar dhe janë bërë gati të sulmojnë teknikun nga të gjitha krahët. Gjithsesi, Kombëtarja është e shqiptarëve dhe duhet ta mbrojmë, e jo ta sulmojmë kur është keq. Xhaka është një futbollist profesionist. Si çdo futbollist ka marrë vendimin e tij.

Sigurisht ka të drejtën absolute për të kërkuar arsyen se përse nuk luan, por në fund duhet të llogarisë që De Biazi ka për detyrë të marrë vendimet dhe duhet t’i pranojë. Shpresoj që të mos triumfojë fryma e keqe për hatër të ndonjë lojtari. Nuk mendoj se ekipi Kombëtar është një ekip yjesh, që pa një Xhaka apo pa një tjetër lojtar mund të ketë haluçiancione të mëdha, e thamë më parë që kemi qenë një skuadër grupi. Grupi duhet të jetë i fortë dhe duhet konsoliduar.

Nuk e di sa kohë do ketë në dispozicion de Biazi, sepse sigurisht që ka përçarje, mangësitë, problemet janë të qarta, por janë pjesë e futbollit dhe prandaj është i bukur, sepse kur vijnë rezultate të mira, gjithmonë ka fjalë të bukura dhe kur vijnë rezultate negative do mbash përgjegjësi dhe do durosh komentet e kritikëve”.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6