Varrosen në heshtje 132 nxënësit, zemërim kombëtar kundër talibanëve

Në Peshavar janë varrosur 132 nxënësit e një shkolle ushtarake, ndërkohë që kryeministri Nawaz Sharif ka shpallur tre ditë zie në Pakistan, pas masakrës së talibanëve që ka ngjallur zemërim kombëtar.

Bota

17/12/2014 09:24

Arkivolet me trupat e fëmijëve, të mbuluara me lule të kuqe, janë varrosur gjatë natës në një manifestim të heshtur, pasi nuk ka pasur fjalime dhe as ceremoni të tjera, përveç atyre fetare.

Rrethimi i shkollës dhe vrasja e fëmijëve nga njerëz të armatosur, që është sulmi më i përgjakshëm i kryer nga talibanët ndonjëherë, ka irrituar edhe bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa vet qeveria pakistaneze ka intensifikuar sulmet në rajonet ku vepron ky grup ekstremist.       

Kryeministri Sharif ka thënë se terroristët, nëntë prej të cilëve u vranë nga ushtria gjatë kësaj masakre, do të dënohen me vdekje, dhe se tashmë i gjithë kombi pakistanez, sipas tij është në luftë me terrorizmin.  

“Ne do të marrim hak për secilin pikë gjaku të fëmijëve tanë të vrarë”, tha kryeministri, duke shtuar se ekstremizmi dhe radikalizmi nuk do të munden të pushtojnë Pakistanin.  

Talibanët e armatosur pasi kapërcyen gardhin nga hyrja e pasme e shkollës shkuan klasë më klasë duke i qëlluar në kokë nxënësit, që sipas tyre e bënë këtë në shenjë hakmarrje ndaj sulmeve të qeverisë kundër fëmijëve dhe grave të tyre.

Përveç të vrarëve, rreth 150 nxënës të tjerë kanë mbetur të plagosur në këtë sulm, që është vlerësuar i tmerrshëm dhe makabër edhe nga shumë figura të njohura të fesë Islame.