Varrimi i legjendës Fadil Vokrri përmes fotografive

Me nderime të larta shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Lajme

10/06/2018 19:17

Prezentë në varrimin e tij ishin shumica e krerëve shtetërorë, duke përfshirë kryeministrin, Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacollin si dhe të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, shkruan lajmi.net.

Të pranishëm ishin edhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë nga FIFA dhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Nën pikëllimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, Vokrrit i’u dha lamtumira e fundit.

Ndryshe, në vitet e 80-ta, Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës së tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapin të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizanin e Beogradit.

Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare.

Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jug.

Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak.

Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamon e Zagrebit.

Vokrri e shpjegonte  kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qënë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në rradhët e “Partizanit”, ishte së pari afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub”.

Në shkurt të vitit 2008 ai u zgjodh president i Federatës të Futbollit të Kosovës, (FFK) me mandat katërvjeçar.

Fadil Vokrri konsiderohet njeriu më meritor për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

Vokrri vdiq dje pas një sulmi në zemër./Lajmi.net/