Van Gaal mban Giggsin në Man Utd

Ryan Giggs nuk do të largohet nga Manchester United, nëse Louis van Gaal emërohet menaxher i gjigantit nga Old Trafford. Strategu holandez dëshiron ta mbajë atë, duke e inkuadruar në stafin teknik.

Sport

06/05/2014 09:45

Ryan Giggs mund të vazhdojë bashkëpunimin e tij në Manchester United, edhe në rast të ardhjes së Louis van Gaal në postin e menaxherit të gjigantit nga Old Trafford.

Sipas të përditshmes britanike The Guardian, strategu holandez – favorit për të zëvendësuar David Moyesin e shkarkuar muajin e kaluar – do të mbajë ikonën e klubit, Giggs, në një rol në stafin teknik.

Giggs është angazhuar në detyrën e menaxherit të përkohshëm për të drejtuar Manchester Unitedin deri në përfundim të këtij sezoni dhe ka shënuar një fitore dhe një humbje në dy ballafaqimet e para në rolin e ri.

Statusi i tij në klub ishte vënë në dyshim në rast të ardhjes së Van Gaalit mirëpo duket se holandezi e di rëndësinë e Giggsit dhe dëshiron ta mbajë në klub duke punuar përkrah tij.