Van Gaal: E dua Man Utd-in

Selektori i Holandës, Louis van Gaal ka pranuar se dëshiron të emërohet menaxher i ri i Manchester Unitedit. Ai insiston se nuk ka realizuar marrëveshje me gjigantin anglez por thotë se do t’i pëlqente “sfida fantastike”.

Sport

07/05/2014 22:57

Louis van Gaal ka thënë se dëshiron të bëhet menaxher i ri i Manchester Unitedit.

62-vjeçari, selektor i Holandës, spekulohet të jetë favorit për të zëvendësuar David Moyesin e shkarkuar më 22 prill.

“Do ta doja postin”, deklaroi Van Gaal për BBC Sport. “Shpresoj të jem i përzgjedhuri. Është klubi më i madh në botë dhe një sfidë fantastike”, shtoi ai.

Van Gaal është shndërruar në favorit për postin e menaxherit të Old Trafford pas ‘refuzimeve’ nga trajnerë të tjerë përfshirë Pep Guardiola, Jurgen Klopp, Carlo Ancelotti e Diego Simeone. Por, pavarësisht spekulimeve të mëdha, holandezi refuzon të pranojë se detyra është e tij.

“Ju (mediat) mendoni se unë jam njeriu i duhur, por gjëja më e rëndësishme është nëse Manchester United mendon ashtu. Ju duhet të prisni dhe të shihni se çka vendos klubi. Është gjithmonë njësoj, është gjithmonë një proces dhe ju duhet të prisni përfundimin e procesit, mediat janë gjithmonë tepër të shpejta”, theksoi ai.

Van Gaal nuk do të jetë i lirë për Unitedin deri pas Kampionatit botëror, kur ka paralajmëruar largimin nga posti i selektorit të Holandës.