Valon Murati e ka prioritet bujqësinë

Murati tha se respektimi i ligjit, puna e ndershme, e përkushtuar dhe e përgjegjshme si dhe pjesëmarrja e qytetarëve në qeverisjen komunale janë shtyllat e programit të tij.

Lajme

19/10/2013 11:14

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim për Kryetar të Prishtinës, Valon Murati paraqiti mbrëmë para elektorati të fshatit Besi tri parimet themelore me të cilat ai do ta qeveris kryeqytetin.

Murati tha se respektimi i ligjit, puna e ndershme, e përkushtuar dhe e përgjegjshme si dhe pjesëmarrja e qytetarëve në qeverisjen komunale janë shtyllat e programit të tij.

Ai gjithashtu theksoi se fshati Besi si fshat i Rrafshit të Kosovës do të trajtohet si pjesë e integruar e qytetit të Prishtinës dhe infrastruktura e domosdoshme për jetë të dinjitetshme do të investohet edhe këtu.

“Duke pasur bujqësinë një prej prioriteteve të qeverisjes së tij, banorët e fshatit Besi si dhe të fshatrave të tjera të Rrafshit të Kosovës,  do të ndihmohen nga Komuna e Prishtinës sidomos në fushën e perimtarisë dhe të blegtorisë si dy degë të bujqësisë me potencial zhvillimor të kësaj pjese të Prishtinës”, tha Valon Murati.

Koordinatori i Këshillit Qytetarë të LB’së në fshatin Besi, Avdullah Osmani i cili është edhe kandidat i kësaj partie për Kuvendin Komunal, prezantoi para qytetarëve në mënyrë të detajizuar përmes fotografive problemet themelore të Besisë dhe fshatrave të tjera përreth si dhe dështimet e investimeve infrastrukturore të qeverisjes komunale.

Ai theksoi se mungesa e infrastrukturës elementare për jetesë si uji, kanalizimi e rruga po e dëmtojnë cilësinë e jetës dhe po janë pengesë që qytetarët t’i kthehen fshatit për jetesë.