Valeeva: Lotët dhe frika e dorëzuan Lirijen

Italianja Natalia Valeeva ka bërë të ditur arsyet pse Lirije Sahiti nuk mori pjesë në garën kundër saj.

Sport

19/06/2015 17:41

Një sulm i panikut dhe një krizë e vajit, pak para fillimit të garës individuale të shigjetarisë, ka bërë që kosovarja 17-vjeç, Lirije Sahiti të tërhiqet nga gara kundër italianes Natalia Valeeva.

Kjo e fundit u kualifikua direkt për në çerekfinale që do të zhvillohet më 21 qershor.

“Ishte gjithçka gati për fillimin e ballafaqimit. Por, derisa u nisa për ta marr shigjetën, e kam parë kundërshtaren duke qarë. Meqë për shkak të rregullave nuk mund t’i flisja, e kam dërguar trajnerin tim që të bisedonte me të, dhe ta bind që të garojë. Është hera e parë në karrierën time që dikush tërhiqet për shkak të frikës. Qartë, nuk ishte e gatshme dhe e përgatitur nga niveli psikologjik, e kuptoj”, deklaroi Valeeva.

Agron Mala, trajner i ekipit të Kosovës dhe president i Federatës së shigjetarisë, ka arsyetuar tërheqjen e Sahitit me ngarkesën e madhe.

“Është vetëm 17-vjeçe, kjo është përvoja e saj e parë, nuk ishte fizikisht në gjendje të garojë dhe për këtë arsye është tërhequr”, deklaroi ai.