Vakëfet e Turqisë do të rindërtojnë Bibliotekën e Xhamisë së Hadumit

Biblioteka e njohur e Xhamisë së Hadumit së shpejti do të ringrihet. Një gjë e tillë do të bëhet me një investim të vakëfeve të Turqisë.

Lajme

30/09/2014 17:41

Objekti i bibliotekës së bashku me xhaminë dhe me objektet përcjellëse ishte djegur gjatë lutës. Vendi ku dikur zinte vend objekti prej asaj kohe ka mbetur i zbrazët. Me djegien e saj ishin humbur një numër i konsiderueshëm i librave në mesin e të cilëve dhe botime unikate për historinë e qytetit të Gjakovës. Por së paku në atë vend do të kthehet objekti. Inxhinierë nga Turqia të hënën kanë vizituar Gjakovën për ta parë nga afër vendin, i cili brenda pak kohësh do të marrë një pamje tjetër.

Bashkë me Bibliotekën do të kthehet edhe Medreseja e Vogël, aty ku ishin edukuar breza jo vetëm nga Gjakova. Objekti që ishte ndërtuar ndërmjet viteve 1816-1817, ka vite që është shkatërruar tërësisht. Themelues i saj ka qenë Tahir Efendi Boshnjaku. Do ta merrte këtë emër, pasi ishte ndërtuar më vonë sesa Medreseja e Madhe (1707), por që për nga rëndësia dhe numri i nxënësve nuk ishte më e vogël.

Sipas historianit Masar Rizvanolli, në këtë medrese mësimin, që zhvillohej në gjuhën shqipe, përveç nxënësve vendës e ndiqnin edhe nxënës nga rajone të Sanxhakut, Jeni Pazarit, Toplicës, Plavës e Bosnjës.

Vedat Sahiti, këshilltar i myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se marrëveshja për ndërtimin e këtyre dy objekteve është nënshkruar dhe, sipas tij, pritet që shumë shpejt të nisin punët në rindërtimin e tyre.

“Me Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë kemi arritur që të nënshkruajmë marrëveshje për restaurimin e Bibliotekës së Hadumit dhe Medresesë së Vogël. Tash jemi në fazën e finalizimit”, ka thënë Sahiti të hënën, teksa po shoqëronte grupin e inxhinierëve turq, transmeton Koha.net

Drejtoria e Vakëfeve të Turqisë, e cila menaxhon të gjitha pronat e Perandorisë Osmane, posedon vakëf – bankën në Turqi, ka dy universitete dhe është një nga investitorët më të mëdhenj të objekteve fetare në Turqi.

“Por për herë të parë po fillojnë në Kosovë me këto dy objekte në Gjakovë”, ka thënë Sahiti, teksa ka shtuar se objektet do të ndërtohen në bazë të projekteve që ka dorëzuar Qendra për Trashëgimi Kulturore e Gjakovës (QTK).

Ndërkaq, Osman Gojani, drejtor i QTK-së në Gjakovë, ka thënë se projektet kanë qenë të gatshme që nga paslufta, mirëpo deri më sot nuk kanë gjetur përkrahje nga donatorët. “Ka ardhur koha që ato të aprovohen tash”, ka thënë Gojani.

Këshilltari i myftiut të Kosovës, Vedat Sahiti, ka thënë se kjo është vetëm faza e parë e investimeve në Komunën e Gjakovës.

“Nuk do të mbesim me kaq, në Gjakovë do të vazhdojmë edhe me restaurimin e objekteve të tjera të ndërtuara nga fisnikëria shqiptare. Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të vazhdojmë më disa xhami në qytetin e Gjakovës.

Ai ka përmendur Xhaminë e Mulla Jusufit, atë të Mahmut Pashës, Xhaminë e Kusarëve, të Sefës dhe Haxhi Ymerit.

“Ato janë me rëndësi të veçantë dhe i vlerësojmë. Kjo dëshmon interesin e Bashkësisë Islame për trashëgiminë tonë që atë t’ua përcjellë brezave të rinj”, ka thënë Sahiti, transmeton Koha.net.