Vajtja e shqiptarëve në Siri nuk është befasi

Eksperti i fesë islame, Guido Shteinberg, thotë se vajtja e shqiptarëve në Turqi dhe më pas në Siri, nuk është një surprizë e madhe. Ai për DW thotë se ka një fluks të madh edhe nga Bosnja, Kosova, Austria e Belgjika me destinacion fillestar Turqinë.

Lajme

17/03/2014 23:02

Guido Steinberg, ekspert i fesë islame dhe punonjës shkencor në Fondacionin Shkenca dhe Politika që këshillon qeverinë gjermane, thotë se fluksi për të shkuar në tokën e “shamit” nga myslimanët nuk ndalet vetëm në Shqipëri, por vazhdon edhe nga Bosnja, Kosova, Austria, Belgjika në drejtim të Turqisë, ku më pas kanë cak zonat e luftës.

Në një intervistë dhënë për Deutsche Welle, Guido ka thënë se Turqia është zonë hyrjeje dhe tërheqjeje e këtyre njerëzve.

“Është një fenomen, që e njohim tashmë prej gati 2 vjetësh. Stërvitja kryhet në Siri. Turqia është më shumë një zonë hyrjeje dhe tërheqjeje. Problemi i madh është se Turqia i ka toleruar në masë të madhe këto aktivitete në vitet e fundit.

“Prej disa muajsh përpiqet të paktën të kufizojë disi lirinë e veprimit të grupimeve më të ashpra, por në përgjithësi Turqia është pjesë e problemit atje dhe jo pjesë e zgjidhjes”.

Sa i përket motiveve të cilat shtyjnë njerëz të tillë drejt shkuarjes në luftë jashtë vendit, ai thotë se ka shumë, dhe ndryshojnë në varësi të vendit.

“Në përgjithësi mund të thuhet se shumë myslimanë, sidomos salafistë besojnë se ata duhet t’u shkojnë në ndihmë vëllezërve të fesë në Siri dhe dallimi nga Pakistani, Afganistani , ose Somalia është se udhëtimi për në Siri është shumë i lehtë”.

Sipas tij, “karakteristikë që i veçon fort nga myslimanët e tjerë është se vetëm ata mund të ofrojnë interpretimin e vërtetë të Islamit duke zhvilluar një farë agresiviteti ndaj botës së jashtme”.

“Dhe në një rrymë disi më radikale, nga ky agresivitet kalohet me të vërtetë në dhunë, që e quajnë pastaj luftë të shenjtë, apo xhihad. Shumica e emigrantëve evropianë janë Salafistë dhe dëshirojnë të krijojnë një shtet islamik atje”, vijon Steinberg.

(DW)