Ushtruesi i detyrës së shefit të FBI-së: Nuk ka përpjekje për të penguar hetimin për Rusinë

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FBI-së, ka thënë se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të penguar hetimet e byrosë për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe në hetimet që po zhvillohen për lidhjet e mundshme mes bashkëpunëtorëve të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë.

Bota

11/05/2017 18:07

Andrew McCabe ka folur para Komitetit të Inteligjencës të Senatit më 11 maj, dy ditë pasi Trump shkarkoi James Comey nga pozita e drejtorit të FBI-së.

Comey po mbikëqyrte hetimet kriminale lidhur me Rusinë dhe shkarkimi i tij ka tronditur ligjnëvësit amerikanë.

Ligjnëvësit demokratë, dhe disa republikanë, publikisht kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me arsyetimin që presidenti Trump ka dhënë për shkarkimin e Comey. Trump ka deklaruar se e ka shkarkuar Comey, për shkak të keqmenaxhimit të hetimit për emailet e kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

I pyetur nga senatori republikan, Marco Rubio se a ka pasur përpjekje për të penguar hetimet e byrosë, McCabe është përgjigjur “jo”.

“Puna e FBI-së vazhdon pavarësisht nga çdo ndryshim… nuk ka pasur asnjë përpjekje deri më sot për të penguar hetimin tonë”, ka thënë ai.