Ushtrimet e ngadalësojnë plakjen e trurit për 10 vite

Të gjithë e dimë që ushtrimet janë të mira për trupin dhe trurin, por kur është në pyetje që këtë ritëm ta ruajmë dhe praktikojmë rregullisht nuk është gjithmonë e lehtë.

Lifestyle

02/04/2016 13:34

Për ato ditët në të cilat nuk ndiheni sikur keni energjinë e duhur të ushtroni, ekzistojnë të dhëna shkencore të cilat mund të shfrytëzohen për ta motivuar vetveten: aktiviteti fizik mund të ngadalësojë plakjen e trurit deri në 10 vite. Këto të dhëna u publikuan në një hulumtim në revistën shkencore Neurology.

Në fakt ky hulumtim është njëri nga të parët i cili vërteton se sa i dobishëm është aktiviteti fizik për trurin. Hulumtuesit i intervistuan një grup prej 1,228 personash, të gjinive, racave dhe etnive të ndryshme të cilët jetojnë në Manhatan rreth shprehive të tyre për ushtrime.

Ata po ashtu u përgjigjen në pyetje rreth aftësive njohëse (konjitive), duke përfshirë kujtesën, organizimin, arsyetimin, dhe shpejtësinë e të menduarit. Pas pesë vitesh, pothuajse gjysma e grupit fillestar, u testuan për parametrat e njëjtë.

Ata të cilët kishin raportuar sasi më të mëdha të aktivitetit të performuar fizik kishin rezultate më të mira në testet për vlerësimin e aftësive njohëse, gjë e cila është në linjë me disa studime më të hershme të realizuara në këtë fushë.

Hulumtuesit pastaj gjetën se vlerat e tyre të shëndetit në përgjithësi, si tensioni i lartë i gjakut, sheqeri në gjak, apo edhe diabeti mund të ndikojnë negativisht në keqinterpretim të rezultateve të fituara, kështu ata u fokusuan vetëm tek individët të cilët nuk kishin paraqitur forma të tilla të problemeve dhe i krahasuan rezultatet e aftësive njohëse vetëm tek individët e shëndetshëm.

Ata gjeten trend të njëjtë i cili tregon se individët të cilët ushtrojnë rregullisht kishin prapë rezultate më të mira tek këto aftësi kundrejt atyre të cilët ushtronin më pak ose nuk ushtronin fare. Ata po ashtu gjeten se aktiviteti fizik ndikon pozitivisht edhe për parametrat e shpejtësisë së të menduarit për rikujtimin e ngjarjeve të cilat kishin ndodhur më herët. Në fund, autorët vërtetuan se individët të cilët ushtronin rregullisht parandalonin shkallën e plakjes së trurit të tyre deri në 10 vite.