Ushtrime për shkatërrimin e logjikës

Ta merr mendja që e gjithë Bota, në radhë të parë Amerika, nuk kanë punë tjetër pos të mirren me ne ditë dhe natë, dhe të na i zgjidhin të gjitha problemet, përfshirë këtu edhe frustrimet më të çuditshme politike.

Opinion

24/02/2016 10:33

Nuk ndodhë shpesh kjo gjë. Jeta dhe politika, janë dukuri thuaja përherë të ndërlikuara, të cilat nuk e durojnë dot skemën bardh dhe zi. Por ja që në këtë rast vlenë pikërisht një skemë e kësisojt, sepse ajo, në këtë shembull, e dallon në mënyrë të prerë jetën nga vdekja, të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja.

Nuk do të kishim pra mundësi fare të flasim e të debatojmë këndejpari, në Prishtinë dhe në Kosovë, në këtë shkurtin e vitit 2016, për një Deklaratë  (të Ambasadorit Delawie), për një Peticion dhe për relacionin midis Amerikës  (dhe faktorit ndërkombëtarë) dhe Kosovës, po mos të ndodhte lufta e Amerikës  (dhe e Paktit NATO), për ne dhe për Kosovën, në pranverën e vitit 1999.

Është ky një përshkrim fare i thjeshtë, teknik.

Kush e di ku do të ishim të gjithë ne sot. Mbase, shumë prej nesh nuk do të ishim gjallë. Apo do të ishim refugjatë, të shpërndarë në të katër anët e Botës.

A e kemi harruar këtë gjë ne, në ndërkohë?

Ndoshta. Natyrisht, jo qytetarët e rëndomtë të këtij vendi. Ata kurrë nuk do ta harrojnë këtë të vërtetë. Por ja që prej çlirimit e tutje, kemi bërë garë në sajimin e rrëfimeve të cilat përshkruajnë shumë më ndryshe gjithë historinë tragjike të këtij vendi dhe të shqiptarëve të Kosovës. Nuk ka dyshim që pa ne, pa Lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, dhe pa luftën e bërë nga ne, nga UÇK, në vitet 1998, 1999, nuk do të kishte ‘dorë hyjnore’ të Amerikës. Këtë, askush nuk e konteston. As që mundet. Vetëm dyzimi i rolit tonë dhe të atij amerikan, ka bërë të mundshëm çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Por këtu ka një keqkuptim të vazhdueshëm që ndërlidhë moralin, drejtësinë dhe politikën, e cila gjë, në fakt ndodhi në rastin e Kosovës, ndërsa vështirë është të gjindet një shembull i ngjashëm, as para nesh, dhe as në ditët e sotme. Një përcjellje e zakonshme e lajmeve të tashme në CNN a BBC ta dëfton të kundërtën. Ky ka qenë ai momenti i Kosovës, mbase, i papërsëritshëm, kur ndodhi bashkimi i politikës dhe drejtësisë, pikërisht falë Amerikës.

Në ditën kur tek ne plasën polemikat për Deklaratën e Ambasadorit amerikan, polemika këto që janë një ri-konfirmin që këndejpari kemi mbetë, si politikë dhe si shoqëri, pa atë busollën që ka si tregues të vetin Perëndimin  (e jo Veriun), në Beograd, Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq nënshkruajti Ligjin për Marrëveshjen në mes të Serbisë dhe Paktit NATO, e cila krijon benefite të shumta trupave të NATO-s, në qarkullimin e tyre të lirë në gjithë territorin e Serbisë.

Kur Sllobodan Millosheviq refuzoi me këmbëngulësi Marrëveshjen e Rambouilletit për Kosovën, në shkurtin/ marsin e vitit 1999, momenti kyç që shty atë ta bëjë këtë hap që nisi udhën e pa kthim të tij, ishte pikërisht formulimi që mundësonte qarkullimin e lirë të trupave të Paktit NATO, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi. Ai llogariti që poqëse Paktit NATO do t’i lejohej një gjë e tillë, ai jo vetëm që do të kapitulojë në Kosovë, por edhe do ta humbë pushtetin në Serbi. Ndodhën te dyjat, pikërisht për shkak të Fushatës ajrore të Paktit NATO, e cila kurrë nuk do të bëhej pa rolin vendimtar të Presidentit Bill Clinton dhe pa Amerikën.

Por ja që krahasimi i tashëm i ngjarjeve ndër ne dhe në Serbi, me një politikan serb që nënshkruan Ligjin për Marrëveshjen e Serbisë me Paktin NATO, dhe me ne që me vrull, me nerva dhe me emocione, inkuadrohemi në një polemikë të shpifur, tregon se si i kemi punët, në të vërtetë. Pastaj edhe habitemi pse aktualisht, në gjithë rajonin, në këto anë të Evropës, vlera e ‘aksioneve politike’ të Kosovës është më e ulëta që prej se jemi bërë shtet i pavarur, dhe veçmas krahasuar me shtetet e tjera të ‘shansës së fundit’ për inkuadrimin në Bashkimin Evropian.

Nuk duket që ky konstatim po na shqetëson dhe po na mërzit shumë këndejpari. Madje, nuk ka shenja që po mirret fare në konsideratë në politikën dhe shoqërinë kosovare.

Ta merr mendja që e gjithë Bota, në radhë të parë Amerika, nuk kanë punë tjetër pos të mirren me ne ditë dhe natë, në të gjitha mënyrat e mundshme, dhe të na i zgjidhin të gjitha problemet aktuale, përfshirë këtu edhe frustrimet më të çuditshme politike.

Ndërsa ne u bëmë shtet që ta udhëheqim veten. Apo jo.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)