Ushtria jo, demarkacioni jo… a po shkon vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme?!

Procedimi nga Qeveria e Kosovës në Kuvend të transformimit të FSK-së në Ushtri do të shtyhet për një kohë të pacaktuar dhe nuk do të ndodh shpejt siç ishte thënë në fillim.

Lajme

21/03/2017 18:27

Lajmi.net merr vesh se kjo shtyrje do të bëhet pasi që aleatët e Kosovës kanë kërkuar edhe “pak kohë” që t’i bindin serbët të votojnë për ndryshimet Kushtetuese të transformimit të FSK-së.

Po ashtu këto burime thonë se edhe zgjedhjet presidenciale në Serbi (më 2 prill) mund të qartësojnë shumë gjëra sa i përket zhvillimeve në rajonin tonë.

Ndërkaq, kosovarët edhe sivjet duket se do të mbetën pa lëvizje të lirë në Zonën Shengen të BE-së, pasi që demarkacioni me Malin e Zi nuk pritet të jetë në rend dite shpejt.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.

Ai për Express ka thënë se në vizitën e tij që e bëri sot në Podgoricë të Malit të Zi kanë biseduar edhe për Demarkacionin.

Ai sqaroi së në vizitën e sotme që e bëri atje, është  biseduar për shënjimin e kufirit me Malin e Zi në pika të shkurtra por që nuk ka qenë temë diskutimi.

“Po sigurisht që kemi biseduar për Demarkacionin, por ajo nuk ka qenë temë diskutimi. Ne vetëm i kemi njoftuar ata se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk është niher për niher në agjendë”, sqaroi Gecaj.

Dhe meqë Ushtria po vonohet për t’u votuar në Kuvend në bazë të ligjit, Demarkacioni po ashtu, atëherë mos-kalimi i shpejt i këtyre dy temave kaq të rëndësishme sigurisht se po e dërgon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Shtoja kësaj edhe aktivitetet e fundit të partive në terren, duke nisur nga Kadri Veseli i PDK-së, Isa Mustafa i LDK-së dhe aktivitetet e VV-së me sondazhe dhe nëpër shtëpi, atëherë duket se muaji prill do të jetë vendimtar për shkuarjen ose jo në zgjedhje të parakohshme.

Deri me tash, është përmendur fundi i majit ose fillimi i qershorit për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. /Lajmi.net/