Ushtria izraelite ndal “Flotën e Lirisë” drejt Gazës

"Flota e Lirisë" e cila më 15 maj është nisur nga Norvegjia dhe Suedia me qëllim për të thyer embargon izraelite ndaj Gazës, është ndalur nga ushtria e Izraelit.

Bota

29/07/2018 16:21

Sipas mediave izraelite, forcat detare të ushtrisë së Izraelit e kanë ndalur anijen e “Flotës së Lirisë”, e cila sipas tyre përkundër paralajmërimeve ka vazhduar të lëvizë drejt Gazës.

Poashtu edhe në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të internetit të “Flotës së Lirisë” thuhet se forcat izraelite kanë rënë në kontakt me anijen në një distancë prej rreth 49 miljesh me Portin e Gazës.

Më tej thuhet se ushtria izraelite ka paralajmëruar vullnetarët në anije që të mos lëvizin më tej dhe se u janë kërcënuar se nuk do të hezitojnë të përdorin forcë nëse nevojitet.

Në deklaratë thuhet se një grup anijesh luftarake lëviznin në afërsi të flotës, duke theksuar se ushtarët izraelitë mund të ndërhynin në çdo moment dhe se për një kohë të shkurtër mund të ndërpritej lidhja me botën e jashtme për ata që ndodhen brenda anijes, transmeton Anadolu Agency.

Në anijen me flamur të Norvegjisë, e cila bart pajisje mjekësore në Gaza, ndodhen 22 persona nga 16 shtete, në mesin e tyre edhe gazetarët dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Ende nuk ka ndonjë deklaratë nga Qeveria e Izraelit në lidhje me rastin në fjalë.

Aktivistët në flotë, të cilët më 15 maj u nisën nga Norvegjia dhe Suedia për të thyer embargon e vendosur nga Izraeli që nga viti 2006 e deri më tani ndaj Gazës, në portat ku kanë arritur i kanë treguar botës bllokadën e ushtruar ndaj Gazës.

“Flota e Lirisë” së Gazës synon vetëdijësimin dhe formimin e opinionit publik në lidhje me kauzën e Gazës.