Ushtria greke nuk njeh kufijtë e Shqipërisë

Ish ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në deklaratën e dorëheqjes pranoi se Greqia do të zgjeronte kufijtë e saj detarë me Shqipërinë në 12 milje.

Lajme

15/11/2018 08:57

Deklarata e ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë Kotzias kundër sovranitetit të vendit tonë

Kur ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias dha dorëheqjen, për shkak të deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Greqisë Kamenos, se Kotzias ka financuar me fonde sekrete gazetarë, media të huaja, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati e falënderoi publikisht mikun e vet, për bashkëpunimin, sidomos në negociatat që kanë zhvilluar për arritjen e marrëveshjes Shqipëri – Greqi, sidomos në përcaktimin e kufijve detarë.

Kotzias vë në dyshim edhe kufijtë tokësore me Shqipërinë

Ish ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias në deklaratën e dorëheqjes pranoi se Greqia do të zgjeronte kufijtë e saj detarë me Shqipërinë në 12 milje, sipas marrëveshjes të përfunduar, por të pashpallur me Shqipërinë. Nga pala shqiptare nuk pati asnjë reagim, duke heshtur, ngaqë nuk mund ta përgënjeshtrojnë. Ndërsa dje, Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në një intervistë radiofonike të Greqisë deklaroi se ushtria greke nuk e njeh as kufirin tokësor me Shqipërinë.

Deklarata e Ish-ministrit Kotzias për mosnjohjen e kufijve me Shqipërinë nga ushtria greke

Ish-ministri i Jashtëm Kotzias u shpreh se ‘ushtria greke refuzon që të njohë kufijtë Greqi-Shqipëri. Ushtria duhet që të bëjë disa veprime për të njohur kufijtë, por nuk i bën. Ka disa forca në Greqi që nuk i njohin protokollet e Firences, të Parisit dhe marrëveshjen e Helsinkit’. Kotzias i referohet ligjit të luftës me Shqipërinë që Greqia e ka ende në fuqi dhe që duhet të hiqet nga Parlamenti grek apo me dekret presidencial. Sa i përket vrasjes së Kostandino Kaçifas, ish-ministri Kotzias theksoi se ngjarje të tilla negative nuk duhet të lejohen të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe.