Ushtria e Serbisë mund KFOR-in

Komandanti i KFOR-it Salvatore Farina dhe shefi i ushtrisë serbe Lubisha Dikoviq, janë takuar sot, ku kanë diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë. Me këtë rast dy ushtritë kanë zhvilluar edhe një ndeshje miqësore futbolli, ku ekipi serb ka shënuar fitore. 

Lajme

13/06/2014 21:25

Dikoviq dhe Farina janë takuar në bazën e ushtrisë serbe në afërsi të Bujanovcit, raportojnë mediat serbe. 

Farina tha se serbët e veriut për herë të parë kanë marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që sipas tij, është një rezultat pozitiv dhe inkurajues i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. 

Farina tha se situata ishte pozitiv në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun ku KFOR-i vazhdon të mbajë një prani të përhershme në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe organizatat që punojnë në këtë pjesë të territorit. 

Dikoviç dhe Farina diskutuan gjithashtu monitorimin e vijës kufitare administrative, në përputhje me Marrëveshjen Teknike Ushtarake të Kumanovës. 

Në margjinat e takimit u zhvillua edhe një ndeshje miqësore futbolli mes ekipeve të KFOR-it dhe Ushtrisë Serbe, i cili përfundoi me fitoren e ushtrisë serbe me një rezultat 3:1. (lajmi.net)