Ushtari rus i ka vrarë katër kolegë të tij në Çeçeni

Një ushtar i Rusisë i ka vrarë katër kolegë të tij në një bazë në Çeçeni, para se ai ishte qëlluar për vdekje, ka njoftuar Garda Kombëtare.

Bota

24/10/2017 08:31

Ushtari dje kishte hapur zjarr në kazermën afër fshatit Shelkovskaja në Çeçeni, që është rajon i Rusisë me popullatë shumicë myslimane, ka raportuar agjencia e lajmeve Interfax, duke e cituar Gardën Kombëtare.

Për këtë incident kanë filluar hetimet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vitin e kaluar e ka formuar Gardën Kombëtare dhe ajo i përgjigjet direkt Putinit. Forca e sigurisë së Gardës Kombëtare e ka për detyrë luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe mbajtjen e rendit.

Raportohet se sulmet e armatosura kundër autoriteteve dhe forcave të sigurisë në rajonin e Çeçenisë dhe më gjërë në Kaukazin rus janë të shpeshta.