Ushqimet që mbajnë tensionin në vlera normale

Hipertensioni, i njohur zakonisht si presioni i lartë arterial është një sëmundje kronike që karakterizohet nga niveli i rritur i presionit arterial.

Lifestyle

30/04/2016 14:05

Në nivel global, hipertensioni vlerësohet si një epidemi ku 7 milionë njerëz vdesin në të gjithë botën, teksa vuajnë 1.5 miliardë të tjerë për shkak të presionit të lartë arterial ose hipertensionit. Shifrat janë problematike edhe në vendin tonë, pasi vlerësohet si sëmundja me numrin më të lartë të personave të prekur. Madje sipas të dhënave, rezulton se check-upi ka zbuluar në 18% të rasteve, hipertension te personat që nuk kishin dijeni që vuanin nga tensioni i lartë. Mjekët apelojnë që tensioni të mbahet nën kontroll përmes matjeve të shpeshta, konsultave me mjekët, mbi të gjitha me një dietë ushqimore sa më të kontrolluar.

Matja

Është e rëndësishme të matni vazhdimisht presionin tuaj arterial. Këtë mund ta bëni vetë në shtëpi me një matës elektronik të presionit arterial. Përpara se të kryeni matjen e tensionit, mjekët ju këshillojnë që së pari, sigurohuni që fasha e aparatit është e përshtatshme për krahun tuaj. Para se të blini aparatin matni pjesën e sipërme të krahut. Më pas, zgjidhni atë aparat që ka fashën me masën e duhur për ju. Qëndroni pa lëvizur. Mos pini pije me kafeinë dhe mos bëni ushtrime fizike 30 minuta para se të matni presionin arterial.

Qëndroni në mënyrën e duhur me kurrizin drejt dhe me krahun të mbështetur në një karrige. Mos kryqëzoni këmbët apo krahët. Mbajini shputat të mbështetura drejt në dysheme dhe krahun të mbështetur në një sipërfaqe të fortë me pjesën e sipërme të tij të vendosur në lartësinë e zemrës.

Mateni disa herë presionin arterial. Bëni matjet me distancë 2-3 minuta nga njëra te tjetra dhe regjistroni rezultatet.

Mateni presioni arterial në të njëjtën kohë çdo ditë. Duke qenë se presioni arterial luhatet gjatë ditës, është e rëndësishme ta matni atë në të njëjtën kohë të ditës. Periudhat më të rekomanduara janë mëngjesi herët dhe përsëritja e matjes në mbrëmje. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është mbajtja shënim e rezultateve.

Vlerat

Numri i parë, presioni arterial sistolik mat presionin maksimal të ushtruar, ndërkohë që zemra kontraktohet. Një vlerë mbi 90 dhe nën 140 konsiderohet në përgjithësi vlerë normale për adultët (të rriturit). Numri më i ulët tregon presionin diastolik, që është matja e kryer ndërmjet rrahjeve, kur zemra është në qetësi. Një vlerë mbi 60 dhe nën 90 konsiderohet në përgjithësi vlerë normale për adultët. Presioni arterial tenton të ulet dhe të rritet edhe te njerëzit me presion arterial normal. Nëse vlerat tuaja qëndrojnë në pjesën më të madhe të kohës mbi vlerat normale, ju keni risk për probleme kardiovaskulare. Në prani të diabetit apo sëmundjes kronike renale (IRK), vlerat 130/85 mmHg konsiderohen hipertension (HTA).

Mjekimet

Shumë mjekime që ulin presionin arterial parandalojnë njëkohësisht atakët e zemrës dhe ishemitë. Bisedoni me mjekun tuaj në lidhje me to dhe mos harroni të merrni mjekimin sipas udhëzimeve të mjekut. Të raportoni menjëherë çdo efekt anësor te mjeku juaj. Gjithashtu, vazhdoni të monitoroni presionin arterial ndërsa mjekoheni.

Kujdes!

Mbani nën mbikëqyrje presionin tuaj arterial përmes monitorimit të peshës tuaj. Të qenit mbipeshë mund të çojë në hipertension. Një mënyrë e mirë për të monitoruar peshën tuaj është të matni rregullisht indeksin tuaj trupor (BMI). Për të matur BMI, matni peshën (në kg), pjesëtojeni atë me gjatësinë tuaj (në m) katror. Njësia BMI është kg/m2. Një tjetër mjet për matjen e obezitetit është perimetri i belit.

Ndaloni duhanin, nëse jeni duhanpirës përpiquni të hiqni dorë nga ky zakon ose të paktën të ulni gradualisht numrin e cigareve/ditë derisa të arrijnë në zero.

Zgjidhni ushqime të shëndetshme, pasi të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme është gjithnjë një ide e mirë. Së pari e mbi të gjitha, mos hiqni dorë nga vaktet e ushqimit. Konsumoni tri vakte ushqimi në ditë dhe bëni kujdes për porcionet e tyre. Përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara.

Reduktoni sasinë e kripës që konsumoni. Në asnjë mënyrë nuk duhet të shtoni kripë ekstra gjatë gatimit. Largojeni mbajtësen e kripës në tavolinë. Erëza të freskëta dhe të stinës, lëng limoni apo uthull. Kontrolloni sasinë e sodiumit (natriumit) në etiketat e ushqimeve që konsumoni dhe zgjidhni ato me nivel të ulët sodiumi (natriumi).

Ushqimet

Këshilla kryesore për sa i përket mbajtjes nën kontroll të hipertensionit shkon për ushqyerjen. Mjekët këshillojnë të rrisni sasinë e frutave, perimeve dhe farërave që merrni çdo ditë. Përpiquni të përgatisni së paku një vakt me perime në javë. Mos pini më shumë se një ose dy pije standarde alkoolike në ditë.

Aktiviteti

Bëni një jetë aktive, që trupi juaj të vihet në lëvizje. Biçikleta, noti, kopshtaria, çfarëdolloj aktiviteti fizik që iu jep kënaqësi, është i mirë për shëndetin tuaj. Dhe nëse nuk keni kohë, kujtohuni të bëni ushtrime të thjeshta fizike, së paku 10 minuta, dy herë në ditë.