Urrejtja parazgjedhore

Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar a përballuar gjithë këtë urrejtje politike, e cila është prodhuar në mënyrë sistematike në javët e mbrama.

Opinion

27/11/2013 09:05

Nuk e dimë, por mund të besojmë që ka jetë pas vdekjes.

Besojmë dhe mund ta dimë që ka jetë politike në Kosovë edhe pas 1 dhjetorit.

E diela vijuese, pra, nuk është kurrfarë Dite e Kiametit për politikën dhe shtetin e Kosovës, dhe për më shumë, nuk do të ketë pasoja thelbësore për tablonë e skenës politike të Kosovës, e cila na u shfaq me zgjedhjet e 3 nëntorit.

Megjithatë, shumëçka ndryshoi në këto pak javë që lidhën dy rrathët e zgjedhjeve në vend.

Në ditët para 3 nëntorit, veçmas, kemi pasur një rritje marramendëse të premtimeve prej të gjithë pretendentëve për qeveritë lokale. Njëkohësisht, ka pasur një tolerancë mbresëlënëse në fushatën parazgjedhore. Më në fund, u shfaq edhe një zotim i të gjitha subjekteve garuese që votimet kësaj here të jenë njëmend të lira dhe demokratike. Ky zotim u vulos edhe me organizimin më të mirë të institucioneve të shtetit për të garantuar zgjedhje të lira.

Rrëfimi për zgjedhjet e 3 nëntorit, pra, ishte i mirë. Me të drejtë u tha që këto ishin zgjedhjet me të arrira që prej se Kosova u bë shtet i pavarur, më 2008.

Në ditët para 1 dhjetorit, mund të konstatohet që ambienti zgjedhor dhe ai politik i vendit është kontaminuar si asnjëherë më parë që prej se në vitin 2000 janë mbajtur zgjedhjet e para të lira. Ky ambient është mbushur dhe stërmbushur me urrejtje politike, e cila ka zëvendësuar në tërësi atë qasjen e ofertës më të mirë të mundshme.

Para 3 nëntorit, pra, thënë thjesht, gara ishte se kush është më i miri. Tash, gara është kthyer në pyetjen se kush është më i keqi, i cili duhet patjetër të pësojë disfatë.

Dhe në këtë garë, siç po shohim përditë e më shumë, nuk ka mjet që nuk po përdoret, veçmas prej Njësive Speciale mediatike, të cilat janë mercenarizuar prej politikanëve dhe partive që kanë instaluar konceptin e Ditës së Gjykimit për ta në këtë 1 dhjetor.

Mbase, kjo edhe është e vërtetë për ta. Kjo është një specie në zhdukje e sipër në politikën kosovare.

Rrjedha e natyrshme e proceseve politike, e cila do t’i qet matanë bregut politikanët dhe partitë e kësisojta, duhet disi të kthehet mbrapshtë. Në këtë përpjekje, të tillët që nuk kanë asnjë parim, asnjë skrupull, asnjë ide dhe asnjë besim, që na i ka sjellë në Prishtinë vërshimi dhe rrëmuja e pasluftës, janë në gjendje të përdorin të gjitha mjetet eksplozive mediatike që i kanë në dispozicion, të cilat janë paguar me paratë e pseudo-oligarkëve, për ta zhbërë fundin e pashmangshëm politik që po u vjen atyre. Kështu, ata përpiqen të ri-instalojnë skemat politike që realisht kurrë nuk kanë ekzistuar në vend, pastaj, ata përdorin, në mënyrën më të pështirë të mundshme karakterin shumëfetar të shqiptarëve të Kosovës, madje, ata përdorin edhe gjuhën që thërret në mënyrë të drejtpërdrejtë në dhunë politike.

Fatkeqësisht, siç u pa në këto ditët e kaluara, ka edhe pretendentë për kryetarë të komunave që u rrinë fare pranë këtyre ‘protagonistëve’ të ‘përmbysjes së madhe’.,

Këta pretendentë flasin për çlirimin e qyteteve, për vrasjet dhe dhunën me prapavijë politike, për fundin e frikës, etj. etj.

Është ky një mjerim politik. I rrezikshëm, gjithsesi.

Kosova, shoqëria dhe politika kosovare, thënë fare sinqerisht, nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar a përballuar gjithë këtë urrejtje politike, e cila është prodhuar në mënyrë sistematike në javët e mbrama, me qëllime fare të qarta për zëvendësimin e tablosë politike të dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit, me një tjetër e cila do të ishte konsekuencë e përmbysjes politike.

Dobi prej këtij diskursi nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Çfarë tha votuesi kosovar në zgjedhjet e 3 nëntorit, është fare e qartë. Fjala e tij nuk ka si të ndryshohet me 1 dhjetor.

Ai pohoi që më në Kosovë asnjë parti nuk mund të pretendojë të ketë mbi 30% të votave, gjë e cila është e shëndetshme për politikën kosovare.

Ai tha që gara, tash e tutje, për vendin e parë në politikën e vendit, do të jetë shumë e ngushtë, midis PDK-së dhe LDK-së, gjë që po ashtu është diç e shëndetshme për Kosovën.

Ai tregoi që në harkun e votës së mesme, aty midis 10-20%, aktualisht është vetëm një parti, AAK.

Më në fund, votuesi na dëftoi që në zonën e fundit, atë në mes të 5-10% janë dy subjektet e tjera politike, “Vetëvendosje” dhe AKR.

Kështu qëndrojnë hesapet në Kosovë.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)