Urdhri i ndalim për banorët e 6 vendeve myslimane, fitore për politikat e Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi si fitore vendimin e Gjykatës Supreme për të vënë në zbatim urdhrin e tij ekzekutiv, i cili u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA shtetasve të gjashtë vendeve me shumicë myslimane.

Bota

27/06/2017 15:32

Ndalimi i udhëtimit do të zbatohet për shtetasit nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni – vende që Trump i konsideron si të prira për terrorizëm.

Gjykata la “të mbrojtur” nga urdhri vetëm një kategori të të huajve, përkatësisht ata që dëshmojnë se kanë “marrëdhënie të mirëfillta” me një person apo entitet në SHBA.

Administrata amerikane e ka dërguar rastin në Gjykatën Supreme, pasi disa gjykata më të ulëta e kanë pezulluar zbatimin e urdhrit duke e cilësuar si diskriminues ndaj qytetarëve myslimanë.

Trump tha javën e kaluar se ndalesa do të hyjë në fuqi 72 orë pasi të qartësohet nga gjykata.

Trump këmbëngul se ndalesa është e nevojshme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht ankesave të kritikëve, të cilët thonë se ndalesa i veçon myslimanët dhe se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën amerikane.

Administrata Trump thotë se ndalesa është e nevojshme derisa të bëhet një rishikim i brendshëm i lëshimit të vizave për aplikantët e gjashtë vendeve në fjalë. Rishikimi pritet të përfundojë para 2 tetorit.

“Si president, nuk mund të lejoj të hyjnë në vendin tonë njerëz që duan të na dëmtojnë. Unë dua njerëz që e duan SHBA-në dhe gjithë shtetasit e saj dhe që mund të jenë punëtorë dhe produktivë”, tha Trump pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare tha se do ta zbatojë ndalimin e udhëtimit “në mënyrë profesionale, me njoftime të qarta dhe në kohë për publikun, sidomos për udhëtarët që mund të preken”.

Qeveria e Jemenit tha se është e zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së dhe se nuk beson se ndalimi i udhëtimit do ta ndihmojë luftën kundër terrorizmit.

Gjykata Supreme e SHBA-së po ashtu ra dakord që të dëgjojë argumente për rastin në muajin tetor.

Një numër i demokratëve në SHBA dhe i mbështetësve të të drejtave të migrimit u zotuan se do të vazhdojnë të luftojnë kundër ndalesës.

Tom Perez, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat, tha se urdhri i Trumpit mbetet antikushtetues dhe antiamerikan.

“Demokratët do të vazhdojnë ta luftojnë këtë urrejtje”, tha ai.

Urdhri fillestar i Trumpit për ndalim-udhëtimin është lëshuar më 27 janar dhe ka shkaktuar protesta masive në aeroportet e SHBA-së.

Urdhri i parë ka përfshirë edhe Irakun në mesin e vendeve, qytetarët e të cilave ndalohen të hyjnë në SHBA.

Presidenti e ka lëshuar më 6 mars versionin e rishikuar të urdhrit, për të shmangur disa probleme ligjore. /REL/