Urdhërarrest ndërkombëtar për vrasësin e dyfishtë te Parku i Qytetit në Prishtinë

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë te Parku i Qytetit në Prishtinë, është duke u kërkuar edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

Lajme

17/11/2016 13:43

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se për të dyshuarin ka urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar, duke shtuar se kjo nënkupton se urdhërarresti për Lulzim Idrizajn është përcjellë edhe te Autoritetet e Republikës së Shqipërisë.

“Personi i vetëm i dyshuar për këtë rast është L. Idrizi i cili gjendet në arrati, pra s’ka të dyshuar apo të arrestuar të tjerë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, rasti është edhe në Prokurori, ku aktualisht janë duke u kryer veprime hetimore në koordinim me prokurorinë përkatëse.

Incidenti i cili ndodhi rreth tre muaj më parë la të vdekur dy të rinjtë, Arianit Gashin dhe Eron Agajn te parku i qytetit në Prishtinë. Ata ishin me një skuter kur Idrizi shtiu drejt tyre me armë zjarri duke i lënë të vdekur. /Lajmi.net/