Uran Ismaili: PDK s’i është ndarë asnjëherë punës së liberalizimit

Ministri i Shëndetësisë, njëherit nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka folur për vendimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme

18/07/2018 22:00

Nënkryetari i PDK-së ka thënë se ky vendim lidhet ngusht me punën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave është vlerë e PDK-së, për të cilën janë angazhuar fuqishëm të gjitha figurat e PDK-së, nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha etj.

“PDK-ja nuk i është ndarë asnjëherë punës së liberalizimit të vizave. PDK gjithmonë e ka treguar sa e vlefshme është liberalizimi i vizave për qytetarët. E keni parë së fundmi edhe turin e kryetarit Veseli në institucionet evropiane,  të cilit i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës. E kemi parë punën e madhe të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka fuqizuar dhe ka shtyrë përpara pakot ligjore me një dinamikë të madhe, si kusht themelor për plotësimin e kushteve për liberalizim.

Edhe ministrja e Integrimeve Evopriane, Dhurata Hoxha ka bërë punë të jashtëzakonshme”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, duke shtuar. “Prandaj, nëse i shikoni këta emra, përfshi edhe ish kryeministrin, tani presidentin Thaci, të gjithë lidhen me PDK-në. Prandaj po them se PDK ka pasur një fokus të vazhdueshëm në liberalizimin e vizave dhe nuk ka hequr dorë asnjëherë nga ky qëllim”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili.

Në fund, nënkryetari i PDK-së ka thënë se në përgjithësi kjo është një fitore e Kosovës, ku në pozitat kyqe për të ndodhur kjo, kanë qenë akterët e Partisë Demokratike të Kosovës.