Uragani Irma merr 45 jetë njerëzish

Nurmi i të vdekurve nga uragani Irma ka arritur në 45 veta, përfshirë 10 në Shtetet e Bashkuara, pasi stuhia që ka zbarkuar në Karaibe, ka goditur edhe Floridan, Xhorxhian dhe Karolinën Jugore.

Bota

12/09/2017 18:40

 

Të martën, Irma është shndërruar në erë tropikale, por ka ende fuqi për të shkaktuar dëme.

Zyrtarët thanë se stuhia ka marrë shtatë jetë njerëzish në Florida, dy në Xhorxhia dhe një në Karolinën Jugore.

Agjencia Federale e SHBA-së për Menaxhimin e Emergjencave tha se një në katër shtëpi në Florida Keys është shkatërruar nga Irma, ndërsa 60 përqind e shtëpive në këtë grup ishujsh kanë pësuar dëme.

Po ashtu llogaritet se 13 milionë banorë të Floridas mbeten pa energji elektrike.

Kuba tha të martën se 12 njerëz kanë vdekur në këtë vend gjatë fundjavës – kur ka zbarkuar uragani i kategorisë 4 – duke çuar në 35 numrin e të vdekurve në Karaibe.

Britania, Franca dhe Holanda, të cilat kanë territore në Karaibe, kanë nisur tashmë ndihma.