Uragani Florence forcohet; kërcënon Bregun Lindor të SHBA-së

Qendra Kombëtare e Uraganeve në Shtetet e Bashkuara bëri të ditur se një uragan i kategorisë 4 në Atlantik po mbledh fuqi dhe tha se pritet të godasë Bregun Lindor të SHBA-së të enjten.

Bota

11/09/2018 10:01

Parashikuesit e motit thanë se uragani Florence aktualisht ka erëra prej 220 kilometrash në orë dhe se pritet të forcohet në ditët e ardhshme.

Stuhia pritet të zbarkojë në mes të Karolinës së Jugut dhe Virxhinias, duke sjellë erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm.

Guvernatorët e disa shteteve kanë shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme.

Zyrtarët thanë se mbi një milion njerëz janë urdhëruar të evakuohen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lëshoi po ashtu disa paralajmërime për uraganin Florence.

“Një nga stuhitë më të këqija në shumë vite do të godasë Bregun Lindor”, tha Trump në njërin nga postimet e tij në Twitter.