Ura e Ibrit hapet së shpejti, Rakiq nuk mund ta ndalë atë, thotë Bahtiri

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se Ura e Ibrit do të hapet së shpejti, dhe se atë nuk mund ta kushtëzojë asgjë.

Lajme

01/06/2018 19:21

“Ne kemi një vendim, një marrëveshje në Bruksel të cilën e kemi arritur, që të bëhet revitalizimi i urës – që të lëshohet në qarkullim. Kjo do të ndodhë shpejtë, pavarësisht që dikush deklaron që kushtëzon diçka”, ka thënë Bahtiri në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Nuk do të kushtëzohet asnjë send. Çdo send do të jetë i përcaktuar në vijë të duhur”, tha ai.

“Zotëri Rakiq ka dëshiruar çdo herë që Suhodolli në fund të merret në pjesën e veriut e që është e pamundur. Në asnjë formë, në asnjë mënyrë ajo nuk do të ndodhë”, thotë Bahtiri.

Bahtiri tha se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, duhet që të heqë dorë nga ajo pjesë, ndërkaq për Urën e Ibrit tha se nuk mund ta ndalë atë.

“Nëse ndryshohet Plani i Ahtisaar-it, do të ndryshojnë shumë gjëra për krejt Kosovën. Ne nuk dëshirojmë që të hyjmë në atë plan të cilin e dëshiron Rakiq. Plani i Ahtisaar-it nuk ndryshohet. Ai nuk mund të ndryshohet absolutisht”, vijoi Bahtiri, duke insistuar se kufijtë administrativë nuk do të ndryshohen.

“Zotëri Rakiq nuk do ta ketë fuqinë që ta ndalë urën [e Ibrit]. Ura është një marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës pa marrë parasysh nacionalitetin. Ura është për t’i bashkuar qytetarët. Për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë, e jo për t’i ndarë. Nëse mendon që e kushtëzon urën, e ka të kotë”, tha ai.

“Rakiq, por edhe serbët dëshirojnë që çdo shtëpi serbe të jetë nën kontrollin e tyre, e që ajo nuk mund të ndodhë. Ka shumë shtëpi shqiptare që janë në pjesën e veriut, dhe unë asnjëherë nuk tentoj që t’i kthejë në pjesën e jugut”, theksoi ai.

Bahtiri pohoi se Bashkësia Ndërkombëtare është në krahun e tij, për çka ai tha se ata janë në krahun e drejtë.

I pari i Mitrovicës po ashtu deklaroi që ndërkombëtarëve nuk po iu ngutet që t’i përshpejtojnë gjerat sa i përket Urës së Ibrit, por që ata nuk heqin dorë nga qëndrimi që e kanë marrë njëherë e përgjithmonë.