UP-së i duhen edhe 200 profesorë

Universiteti i Prishtinës ditë më parë ka shpallur konkurs për personel të ri akademik dhe administrativ. Me këtë konkurs UP-ja shpreson ta shmangë mbylljen e shumë programeve në UP shkaku i mungesës së stafit akademik.

Lajme

13/05/2018 21:22

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, menjëherë pas hapjes së këtij konkursi ka kërkuar nga Ministra e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT) të mos ndërhyjë politikisht në autonominë universitare dhe të mundësojë zgjedhje të stafit që i mungon UP-së.

Por, edhe pse ky konkurs është shpallur, sipas të parit të UP-së, rektorit Marjan Dema, nuk e zgjidh në tërësi rrezikun që u kanoset disa programeve të UP-së për mbyllje pasi, sipas tij, për 13 njësitë akademike nevojiten edhe 200 profesorë.

“Mungesë të stafit akademik ka në të gjitha njësit akademike, mirëpo në disa prej tyre ai problem është më i theksuar. Prinë Fakulteti i Inxhinierisë Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, i Bujqësisë, i Filologjisë, i Sportit. Po t’i kishim edhe 200 veta staf akademik dhe joakademik, situata në UP do të zbutej dukshëm”, ka thënë rektori Dema.

Rektori, duke theksuar se kanë punuar për largimin e nepotizmit nga ky institucion i arsimit të lartë publik, kërkoi nga Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të mos ndërhyjë në autonominë akademike të UP-së. Kjo deklaratë e rektorit Dema erdhi pas kërkesës së ministrit Bytyqi që ta respektojë në përpikëri Udhëzimin e nxjerrë nga MASHT-i dhe Rregulloren e UP-së gjatë procesit të përzgjedhjes së personelit akademik.

“Apeloj që të respektohet autonomia e UP-së dhe të ndihmohet UP-ja në forma të mundshme, varësisht prej fushave”, ka thënë Dema.

Për vitin akademik 2019/2020 Universiteti i Prishtinës ka planifikuar t’i pranojë rreth 9 000 studentë të rinj në tri nivelet e studimeve: ato themelore, master dhe të doktoratës.