UP nis heqjen e titujve profesorëve që i fituan kundërligjshëm

Të paktën një doktoranti do t’i merret grada më e lartë shkencore e fituar në Fakultetit Ekonomik. Kjo është bërë e ditur në rendin e ditës për mbledhjen e Senatit të UP-së që mbahet të mërkurën. Javëve në vazhdim pritet të zgjerohet lista edhe më plagjiatorë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe udhëheqës fakultetesh.

Lajme

27/05/2017 11:15

Hysnija Bubulicën, deri të mekurën, mund ta thërrisni ‘Dr. Shkence”.  Prej 31 majit, asaj pritet t’i merret ky titull i fituar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Kjo është bërë e ditur në rendin e ditës i hartuar nga Rektori Marjan Dema, i cili ka paraparë të nxjerrë në Senat votimin për marrjen e titullit më të lartë shkencor, kësaj kandidateje. Nuk është sqaruar se pse po ndodhë një gjë e tillë.

Zyrtarë të Rektoratit kanë thënë se ka probleme të mëdha në punimin e kandidates Bubulica dhe të gjitha detajet do të nxjerrën para senatorëve, të cilët janë përgjegjës për marrjen e titujve të fituar në UP në mënyrë të kundërligjshme.

Sidoqoftë, zyrtarë të Rektoratit kanë thënë se ky është vetëm një rast, pasi javëve dhe muajve të ardhshëm do të merren vendime edhe më të rënda, për ata që kanë bërë plagjiatura, në mesin e të cilëve ka edhe udhëheqës të Fakulteteve.

“Disa raste të plagjiaturave të doktoratave i kemi të dokumentuara. Vetëm pritet të merret vendimi dhe t’iu revokohen titujt”, ka thënë ai.

Universiteti i Prishtinës kishte nisur para tetë vitesh një fushatë për nxjerrën e plagjiaturave të atyre që kanë doktoruar qoftë në UP, qoftë në shtete të tjera. Mirëpo, ishte ndërprerë, pasi në këtë skandal ishin përfshirë edhe zyrtarë të Shtetit, të Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës.