UP-ja padi të re për tokën e uzurpuar nga Kisha serbe

Universiteti i Prishtinës ka vendosur që për një kohë të shkurtër të fillojë sërish procedurat për të paditur Kishën Ortodokse mbi pronësinë e tokës e cila gjendet në kampusin e këtij universiteti, megjithëse humbi gjyqin në padinë e parë që kishte bërë ndaj Kishës ‘Sveti Nikolla’.

Lajme

14/11/2017 15:30

 

Gjykata e Apelit në Prishtinë  javë më parë vendosi që të bëjë të plotëfuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e kishte konsideruar si të tërhequr padinë e UP-së lidhur me katër hektarët ku gjendet kisha e papërfunduar ortodokse.

Sipas vendimi të gjykatës, arsyeja pse padia ishte konsideruar e tërhequr për shkak se përfaqësuesit e UP-së nuk ishin paraqitur në seancën ku do duhej të shqyrtohej konteksti mbi tokën.

Esat Kelmendi, Sekretar i UP-së, tha për KALLXO.com se Universiteti nuk do të tërhiqet nga kërkesa për tokën që sipas tij i takon këtij institucioni.

“Zyra ligjore e UP-së është duke përgatitur dosjen me të gjitha provat relevante për ta ngritur padinë nga fillimi, e cila do të procedohet në gjykatën kompetente deri në fund të kësaj jave apo në fillim të javës tjetër. Besojmë  se autoritetet kompetente të drejtësisë kosovare, do ta vendosin drejtë këtë çështje në mënyrë që kjo pronë e uzurpuar kundërligjshëm  t’i kthehet në shfrytëzim UP-së  dhe studentëve të saj”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu konsideroi se Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim të padrejtë kur e ka konsideruar të tërhequr padinë fillestare.

“Aktvendimi i Gjykatës është jo i drejtë, sepse nuk e ka marrë për bazë arsyeshmerinë e pamundësisë së përfaqësuesit të UP-së për të marrë pjesë në seancën e parë pranë Gjykatës Themelore e cila zakonisht është seancë përgatitore e në të cilën gjykata ka konstatuar se UP e ka tërhjekë padinë”, konstaton Kelmendi.

Kontesti i tokës ku gjendet kisha e papërfunduar ka filluar që një kohë të gjatë, ndërka kisha e ndërtuar në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit ka qenë qendër e reagimeve studentore.

Kelmendi po ashtu tha se UP vazhdon ta konsiderojë të papranueshme ndërtimin e objektit fetar brenda kampusit.

“UP asnjëherë nuk do të heqë dorë nga e drejta për të kërkuar anulimin e vendimeve diskriminuese të nxjerra nga regjimi Serb në kohën e okupimit të Kosovës, dhe në të drejtën për kthim në shfrytëzim të saj të pronës së uzurpuar kundërligjshëm nga ky regjim duke ndërtuar objekt pa leje me karakter fetar brenda kampusit të saj”, tha Kelmendi.