UP-ja futet në krizë financiare

Rektorati ka pasur vështirësi në dhënien e pagave për stafin, si dhe kryerjen e obligimeve të tjera financiare gjatë muajit shtator. Këto vështirësi i ka pohuar edhe rektori i ri i Universitetit, Ramadan Zejnullahu.

Lajme

29/09/2014 09:38

Universiteti i Prishtinës këtë shtator është future në krizë financiare. Rektorati ka pasur vështirësi në dhënien e pagave për stafin, si dhe kryerjen e obligimeve të tjera financiare gjatë këtij muaji, bëjnë të ditur burime të gazetës Kohës Ditore brenda UP-së.

Këto vështirësi i ka pohuar edhe rektori i ri i Universitetit, Ramadan Zejnullahu.

Kriza e mundshme financiare për UP-në ishte paralajmëruar që nga koha e vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për përgjysmim të pagesave të studentëve. Qeveria pati premtuar se nuk do të lejonte një gjë të tillë, meqë do të ndajë shumën prej afro 5 milionë eurosh, për ta mbushur zbrazëtinë buxhetore që do të krijohej në arkën e UP-së, pas këtij vendimi.

Subvencionimi shtesë për UP-në nuk ishte paraparë askund në buxhetin e vitit 2014, i cili ishte aprovuar nga Kuvendi vitin e kaluar, meqë atëherë nuk ka pasur as vendim të Qeverisë për përgjysmimin e tarifave në UP.