UNMIK-u e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës

Jennifer Brush, zëvendësshefe e UNMIK-ut, duke folur për mediat serbe, ka thënë se mos përcaktimi i statusit të Kosovës është i dëmshëm për shqiptarët, por edhe për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Lajme

09/03/2015 19:03

Brush, në emisionin “Slobodno srpski” të produksionit “New Press” nga Çaglllavica, ka thënë se shpreson që dialogu në Bruksel do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të jetohet normalisht.

“Ndoshta gaboj, mirëpo shpesh them se Serbia dhe Kosova janë peng të njëra-tjetrës, sepse perspektiva e Serbisë është e kufizuar përderisa nuk zgjidhet çështja e Kosovës. E njëjta vlen edhe për Kosovën, perspektiva e së cilës është e kufizuar për sa kohë nuk gjendet një rrugë e përbashkët me Serbinë”, ka porositur ajo, raporton Koha.net.

Brush ka potencuar se dëshiron që dialogu Prishtinë – Beograd të sjellë rezultate të mira, por që Brukseli të mos jetë vetëm teatër, në të cilin, kur liderët shqiptarë dhe ata serbë të arrijnë ndonjë marrëveshje, të kalojë vetëm me një duartrokitje të madhe.

“Duhet të ketë rezultate në terren”, ka thënë Brush.

Duke folur për ikjet masive të shqiptarëve nga Kosova muajve të fundit, zëvendësshefja e UNMIK-ut ka thënë se arsye për këtë nuk është thjesht gjendja e rëndë ekonomike, por edhe zhgënjimi me, siç ka thënë ajo, rrugën në të cilën po shkon Kosova.

“Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të konfliktit ende nuk dihet kah po shkon Kosova. Ndoshta njerëzit janë të dëshpëruar paksa me perspektivën politike, ndoshta nuk e dinë nëse Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së apo e BE-së. Besoj se edhe kjo ka ndikuar”, ka thënë ajo.

Brush ka thënë gjithashtu se UNMIK-u është neutral ndaj statusit të Kosovës, mirëpo e njeh edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës është në pajtim me Rezolutën 1244, sepse një prej opsioneve në atë rezolutë është edhe pavarësia”, ka theksuar Brush në insistimin e gazetarit serb që të merr një përgjigje në lidhje me qëndrimin e UNMIK-ut karshi statusit të Kosovës.