Universitete, jo falemnderit

Premtimet elektorale për themelime të Universiteteve Publike do të paraqesin probleme gjatë dhe pas realizimit. Në Kosovë nuk ka kuadro arsimore për të plotësuar kërkesën e këtyre universiteteve. Kështu mendon Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit.

Lajme

12/10/2013 06:20

Mund të tingëllojë anakronike, por ekziston një premtim parazgjedhor për të cilin eksperti kosovar i arsimit Dukagjin Pupovci lutet që të mos gjejë asnjëherë zbatim.

Në ditën kur Kryeministri Hashim Thaçi autorizoi Ministrin e tij të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, që ta fillojë procedurat e themelimit të një Universiteti Publik në Ferizaj, Pupovci tha për lajmi.net se ky premtim ka një të keqe.

“E keqja e premtimeve parazgjedhore për themelimin e universiteteve publike në çdo qytet të Kosovës është se këto premtime do të realizohen”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, premtimet për themelim universitetesh po bëhen për vota, pa u shikuar efektet negative të këtyre premtimeve.

Sipas tij, Kosova, me afro 11 mijë kilometra katrorë, nuk ka nevojë për një numër kaq të madh të universiteteve.

Premtimin e Kryetarit të PDK’së për themelimin e Universitetit të Ferizajt, Pupovci e ka quajtur si të pamatur, pasi që ky qytet i cili ndodhet afër Prishtinës, nuk ka nevojë për një Universitet Publik.

“Kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësi dhe nuk e ndihmon masivizimin e arsimit universitar, sepse Ferizaj është 30 minuta larg Prishtinës, e me rrugën që planifikohet të ndërtohet pritet që shkurtohet koha e lëvizjes”.

“Brenga ime kryesore është që të gjitha këto premtime po përdoren për fushatë dhe mandej po realizohen. Unë mund të parashikoj se në vitin tjetër do të themelohet edhe universiteti i shtatë publik, ndërsa në Kosovë është problem të mbahen vetëm tri universitete publike”.

Pupovci ka shprehur brengën e tij se është e pamundur të gjenden kuadro arsimore për të gjitha këto universitete.

“Ne nuk kemi as kushte kuadrovike për të hapur universitete të reja. Nuk kemi kuadro akademike të gatshme që të punojnë në këto universitete. Sipas regjistrimit të vitit 2011, në Kosovë janë më pak se 1.400 doktorë të shkencave, prej të cilëve mbi 250 janë të moshës të pensionit. Me një numër kaq të vogël të njerëzve që kanë kualifikime për të punuar në arsimin e lartë, nuk mund të mbahet një numër kaq i madh i universiteteve publike”.

“Pasi që këto kuadro mund të jenë jo mirë të kualifikuara, atëherë do të ketë problem me punëdhënësit që të investojnë në trajnimin e tyre dhe kjo ka implikime edhe në zhvillim, sepse Kosova, si një vend i vogël që pasurinë më të madhe e ka njeriun, nuk do të jetë në gjendje t’u ofrojë investitorëve njerëz të kualifikuar për kryerjen e punëve specifike”, thotë Pupovci për lajmi.net.