Univeristeti u atakua nga qarqe të ndryshme

Kryetari i dorëhequr i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Muharrem Nitaj, thotë për lajmi.net se gjendja në këtë institucion është shumë më e rëndë sesa që duket. Pohon se nga qarqe të ndryshme janë atakuar funksionet vitale të Universitetit.

Lajme

10/02/2014 17:00

Muharrem Nitaj dha sot dorëheqje nga Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës në pamundësi, siç deklaroi, për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kishte.

Në një intervistë për lajmi.net, Nitaj thotë se gjendja në Universitetin e Prishtinës është shumë më e rëndë se që duket nga jashtë.

Thotë se politika është involvuar thellë në UP, duke e vlerësuar këtë si plagosje të rëndë të institucionit më të lartë të dijes në vend.

Lajmi.net: Z. Nitaj, ju sot bashkë me tre anëtarë tjerë të Këshilli Drejtues dhatë dorëheqje. A ishte e domosdoshme dorëheqja juaj?

Muharrem Nitaj: E kam sqaruar në komunikatë, do të thotë kur vlerësohet që njerëzit që i kanë disa detyra, nuk munden që t’i kryejnë brenda kompetencave të tyre, ata duhen që të tërhiqen dhe të lëshojnë rrugë.

Lajmi.net: Çfarë po ndodh me UP’në, me gjithë këto zhvillime që e karakterizuan në ditët e fundit këtë institucion?

Muharrem Nitaj: Kam përshtypje se edhe për këtë e keni përgjigjen. Ju keni qenë, ditë pas dite e keni parë. Ka një presion të jashtëzakonshëm, nga qarqe nga më të ndryshmet janë atakuar funksionet vitale të Universitetit. Ju i keni parë, unë nuk kam nevojë që të merren me teori konspirative.

Lajmi.net: Deklaruat me rastin e dorëheqjes se nuk dëshironi të jeni pjesë e dështimit katastofik në UP. Kaq e rëndë është gjendja në UP?

Muharrem Nitaj: Gjendja është më e rëndë sesa që duket.

Lajmi.net: Thatë se politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend. A është politizimi i UP’së rreziku më i madh i rrënimit të tij?

Muharrem Nitaj: Vetëm kaq. Në momentin që partitë politike, grupet e caktuara politike dhe grupe të caktuara të interesit, madje edhe një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i japin të drejtë vetës që të involvohen kaq thellë në çështjet e Universitetit, i cili do të duhej ta kishte një autonomi absolute akademike, unë nuk mund ta cilësoj ndryshe përpos dëmtim që politika i ka bërë Universitetit.