Uniteti apo inateti? – Lajmi.net
Uniteti apo inateti?
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinionPolitikë 11:56, 5 July 2018
Vështirë që ka dikush këndejpari që nuk habitet se sa jemi të aftë ta paralizojmë veten, apo, marrjen e vendimeve të rëndësishme për këtë vend.

Blerim Shala

Ju kujtohet sa kohë, sa energji, sa diskutim, sa përplasje u shkaktuan në politikën kosovare në adresimin e temës së Marrëveshjes për vijëzimn e kufirit të Kosovës me Malin e Zi? Ne, të thuash, zgjoheshin më mëngjes, kalonim gjitë ditën dhe binin në gjumë, si kolektivitet, si shqiptarë të Kosovës, duke folur pa kufi për kufijtë e Kosovëes me një shtet fqi mik. Po të mos ishte një presion i jashtëzakonshëm i qytetarëve të thjeshtë të Kosovës, të gjithë shoqërisë kosovare, me gjasë, kurrë nuk do të mbërrinim tek ai vendimi i Kuvendit të Kosovës, me të cilin u Ratifikua Marrëveshja me Malin e Zi. Shkaktar kryesor ishte humbja e durimit të qytetarëve me Kosovën, apo, bindja e tyre që ata meritojnë të udhëtojnë pa viza në Evropë, ndërsa klasa politike e Kosovës shihej si pengesa kryesore për këtë gjë.

Kur nga perspektiva e sotme i kthehemi atyre muajve dhe viteve  (madje), të rënda, vështirë që ka dikush këndejpari që nuk habitet se sa jemi të aftë që ta paralizojmë veten, apo, marrjen e vendimeve të rëndësishme për këtë vend dhe për gjithë qytetarët e vet.

Sikur Kuvendi i Kosovës të vepronte në këtë mënyrë vetëm një vit më parë  (në marsin e vitit 2017), tashmë të gjithë ne do të kishim lirinë e lëvizjes në Evropë.

Siç e dimë të gjithë ne, temën e demarkacionit në këtë kontekstin e shpenzimit enorm të energjisë politike, pa u përqëndruar fare në thelbin e çështjes, e ka zënë kohëve të fundit dialogu i Kosovës me Serbinë, i cili tashmë ka hyrë në fazën finale të tij, e cila do të duhej të përmbyllej me Marrëveshjen ligjësisht detyruese në mes të dy shteteve.

Pak ose hiç në gjithë këtë hallakamën publike politike, nuk flitet për synimet e vetë poltikës kosovare në këtë dialog që duhet të marr fund një herë e përgjithmonë (nuk mundemi ne si politikë dhe si shoqëri përjet e mot të bëjmë dialog me Serbinë).

Pak ose fare nuk bisedohet për rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare në të cilat do të zhvillohen këto bisedime, e të cilat janë më të ndërlikuara se kurrë, dhe më pak të volitshme se asnjëherë më parë, për t’i dhënë një shtytje nga jashtë epilogut të këtij procesi të pashmangshëm.

Pak ose aspak nuk adresohen konsekuencat për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të Kosovës, nëse do të vazhdojmë kështu të jemi shtet i papërfunduar, i pakryer, në mungesë të anëtarësimit të Kosovës në OKB, në Paktin NATO, në BE, ambicje këto që aktualisht janë fare joreale, kur dihet pozicioni i Federatës së Rusisë dhe i pesë shteteve të BE-së që nuk na kanë njohur.

Gjithçka është reduktuar në temën se kush do të duhej t’i printe Delegacionit të Kosovës në këto bisedime, duke harruar në masë të madhe që kemi të bëjmë me një institucion shumë të rëndësishëm të politikës kosovare, atë të Presidentit.

Thuaja gjithçka, në realitet, është e qartë, poqëse do të mirrej mendimi personal i shumicës dërrmuese të politikanëve shqiptarë të Kosovës.

Së pari, me përjashtime shumë të rralla, të gjitha ata do të thonë që nuk kemi mundësi fare të zgjedhim, apo që si Kosovë, do të duhej të mundoheshim ta mbërrijmë Marrëveshjen historike me Serbinë.

Së dyti, me një përqindje të njejtë, do të mbërrihej në konkludim që Kosova më nuk mund të pranojë Marrëveshje tjetër kalimtare me Serbinë, apo që tash ka ardhë koha për atë Dakordimin final.

Së treti, autoritetet më të larta të Kosovës kësaj radhe e kanë të domosdoshme, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, të këmbëngulin në njohjen reciproke formale në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, sepse vetëm në këtë mënyrë, mund të sigurohet anëtarësimi në OKB, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe qartësimi i rrugëtimit të Kosovës kah Pakti NATO dhe Bashkimi Evropian.

Së katërti, kjo është sprova finale, shumë e rëndë gjithsesi, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila njëlloj si në të kaluarën, në Konferencën e Rambouilletit dhe në Procesin e Vjenës, obligon politikanët dhe partitë kosovare të jenë bashkëpunuese në mes tyre, dhe të arrijnë tek uniteti politik.

Aktualisht, për fat të keq, kemi në fuqi inatetin e jo unitetin politik rreth dialogut.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO