United nuk heq dorë nga Fabregas

Louis van Gaal është duke menduar qysh tash se si ta projektojë ekipin, pasi ta marrë në dorë Manchester Unitedin. Trajneri holandez e ka veçuar mesfushorin Cesc Fabregas, si njërin prej përforcimeve të mundshme.

Sport

04/05/2014 13:19

Louis van Gaal është duke bërë matematikë. Trajneri holandez po mendon për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Po flasim për Manchester Unitedin, pasi ai pritet ta marrë në dorë këtë skuadër nga sezoni që vjen.

Sipas tabloidit britanik, Daily Star, ‘Djajtë e Kuq’ e kanë në shënjestër yllin e Barcelonës, Cesc Fabregas, i cili është objektiv i moçëm i ekipit nga Old Traffordi.

Për të, United është i gatshëm t’i ofrojë 45 milionë funte, ndërsa ish kapiteni i Arsenalit do të paguhej plot 200 mijë funte në javë.

Gjithashtu, United i ka si objektiva edhe mesfushorët Kroos, Strootman e Reus, pasi synon të rikthehet furishëm në garë për titull në Premierligë vitin e ardhshëm, pas një sezoni dështues.