United konsideron shkarkimin e Moyesit

Manchester United po i konsideron mundësitë e shkarkimit të David Moyesit. Pasardhësi i Sir Alex Fergusonit nuk i ka përmbushur as për së afërmi pritshmëritë dhe kjo i ka revoltuar, krahas tifozëve, edhe drejtuesit e klubit anglez, i cili po e kalon njërin prej sezoneve më të vështira në tri dekadat e fundit. Në javët…

Sport

27/03/2014 11:00

Manchester United po i konsideron mundësitë e shkarkimit të David Moyesit.

Pasardhësi i Sir Alex Fergusonit nuk i ka përmbushur as për së afërmi pritshmëritë dhe kjo i ka revoltuar, krahas tifozëve, edhe drejtuesit e klubit anglez, i cili po e kalon njërin prej sezoneve më të vështira në tri dekadat e fundit.

Në javët e ardhshme, drejtuesit e klubit do të ulen në tryezën e rrumbullakët për ta diskutuar shkarkimin e ish menaxherit të Evertonit.

Kupa është mbushur pas humbjeve të thella në shtëpi nga rivalët me të mëdhenj, Liverpool dhe Manchester City, të cilat u konsideruan të papranueshme nga bordi i klubit.

Familja Glazer, pronare e klubit, vlerëson se Moyes është duke e shkatërruar klubin, kështu që po mendojnë ta largojnë atë, edhe pse Ferguson e konsideronte skocezin si pasardhësin e tij ideal.

Madje, ishte vetë trajneri legjendar ai i cili e kishte propozuar Moyesin në krye të ‘Djajve të Kuq’. Një tifoz i mllefosur, desh e sulmoi fizikisht Moyesin, gjatë ndeshjes ndaj Cityt, duke e shprehur mllefin ndaj tij.

Mbetet të shihet se deri kur do të ketë ‘jetë’ në Old Trafford trajneri Moyes, por vështirë se mund ta zë fundi i sezonit në këtë bankinë. Për momentin nuk janë përmendur emra të pasardhësit të tij të mundshëm.