United, jashtë Champions pas 19 vjetësh

Manchester United i ka dhënë fund edhe matematikisht shpresave për pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Ekipi i David Moyesit do t’i mungojë këtij kompeticioni pas 19 vjetësh.

Sport

21/04/2014 00:27

Që ishte një sezon i tmerrshëm, që David Moyes nuk ishte pasardhësi ideal i Sir Alex Ferguson, tifozët e Manchester Unitedit e kishin kuptuar qe një kohë.

Në Goodison Park, pikërisht në stadiumin ku menaxheri aktual i ‘Djajve të Kuq’ e kishte ndërtuar karrierën, ka arritur shuplaka definitive e një kampionati që do të futet në histori të klubit, por në aspektin negativ.

Duke humbur 0:2 në shtëpi të Evertonit, United në fakt e ka fituar edhe qartësinë matematikore që nuk do të mund ta zë pozitën e katërt në Premierligë, e fundit e cila çon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Me katër ndeshje sa i kanë mbetur deri në fund, 12 pikët në lojë, nuk do t’i mjaftonin Unitedit pasi do ta arrinte maksimumin – 69 pikë, ndrsa Arsenali aktualisht i ka 70 dhe është i katërti.

Ky është një dështim epokal për Moyes, sepse United nuk mungonte në evenimentin më të rëndësishëm evropian qe 19 vjet, që nga sezoni 1995/96.

Ndër të tjera, United nuk merr pjesë vetëm dy herë, në 23 vjet ekzistence të formatit të ri të Ligës së Kampionëve.