Unioni i bizneseve në Gjermani do të krijojë mundësi punësimi për 10 mijë kosovarë

Ejup Berisha, kryetari i Unionit të Bizneseve Kosovare në Gjermani ka prezantuar tri projektet e Unionit që janë krijimi i mundësive të shërimit për pacientët nga Kosova në klinikat gjermane, rritja e kapitalit të fondit zhvillimor për Kosovën, i cili sapo është themeluar e që ka për qëllim zhvillimin e Kosovës, si dhe krijimi i mundësive për punësimin e 10.000 punëtorëve nga Kosova në Gjermani.

Lajme

01/05/2015 13:41

Ndërsa, për projektin e fundit, kryetari Berisha ftoi biznesmenët e pranishëm që me një pjesëmarrje sa më aktive të ofrojnë mundësi vende të punës për kosovarët. Ai po ashtu ka përmendur edhe kryetarin e bashkisë së Koln-it që ka ofruar përkrahje për realizmin e projektit për punësim.

Këto pohime u dhanë në  kongresin e parë të organizuar nga Unioni i Bizneseve Kosovare në Gjermani që ka tetë degë të saja në territorin gjerman. Pjesë e këtij kongresi ishin qindra biznese shqiptare nga Gjermania dhe pjesët tjera të Evropës. Ky union kishte qëllimin kryesorë që, së bashku me anëtarët dhe mysafirët e shumtë, të diskutojnë për disa projekte të rëndësishme dhe ambicioze.

Të pranishëm në këtë kongres ishin kryetari i Bashkisë së Kolnit, Dr. Ralf Heinen, Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Valon Murati, ministri i Diaspores.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Kolnit, Ralf Heinen, i cili tha se është i lumtur që kongresi ku me aktivitetin e Unionin, është duke kontribuar në konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.

Ai po ashtu ka premtuar se interesimin e bizneseve, brengat dhe kërkesat do t’i adresojnë nëpërmjet tre ligjeve që, sipas tij, janë ligji për partneritetin publiko-privat, ligji për investime të jashtme dhe një ligj të cilin janë duke e draftuar për partneritete të mundshme ekonomike strategjike në mënyrë qeveria të komunikoj drejtpërdrejtë.

Në këtë kongres dy ministrat kosovarë Valon Murati, ministër i Diasporës dhe Blerand Stavilzci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, i kanë njoftuar bizneset gjermane për mundësitë që ofron Kosova për investimet e huaja.

Në ndërkohë, ministri i Diasporës, Valon Murati ka thënë se bizneseve nga diaspora duhet t’iu krijohen kushte në Kosovë.

Kurse, Vllaznim Kelmendi, pronar i kompanisë shumë të fuqishme në Gjermani ‘Kelmendi GmbH’, ka thënë se Unioni është rritë me anëtarësimin e bizneseve.

Ai ka shtuar se duhet që krejt bizneset kudo që janë të kenë lidhje mes vete duke bërë edhe biznese mes vete dhe në të ardhmen të investojnë në Kosovë.

Në kongres ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, Brunilda Paskali, e cila bëri prezantimin para të pranishmeve “Shqipëria – vend i mundësive“, që kishte të bëjë me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar potencialet e shumta që ofron vendi për investitorë të huaj.

Po ashtu, në kongres ishte e pranishme me një zë shumë kritikë edhe Hamide Latifi nga organizata “Women in Business“, e cila mes tjerash iu tha të pranishmeve që patriotizmi më i madh është të hapësh vende pune. Po ashtu, pas prezantimeve Unioni i bizneseve u ndau mirënjohje shumë biznesmenëve të pranishëm, të cilët kishin kontribuar në aksionin e ndarjes së bursave për 30 studentë në Kosovë, transmeton Kosovapress.